Site icon Telegrafi

Rrëzimi i aeroplanit të Azerbajxhanit: Kazakistani dërgon kutitë e zeza në Brazil për hetim

Kazakistani ka vendosur të dërgojë regjistruesit e fluturimit të rrëzuar të Azerbajxhanit në Brazil, në një lëvizje që tregon vullnetin e vendit për zbulimin e plotë dhe transparent të tragjedisë.

Në deklaratë, qeveria në Astana tha se e ka marrë këtë vendim pasi aeroplani Azal është prodhuar në Brazil.

“Në përputhje me standardet e Aneksit 13 të Konventës së Chicagos, shteti që kryen hetimin siguron leximin e regjistruesve të fluturimit dhe vendos për zgjedhjen e një vendi për të lexuar dhe deshifruar kutitë e zeza”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Kazakistani është anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

Vendimi tregon se Kazakistani është në përputhje me kërkesën e Azerbajxhanit për një hetim transparent mbi rrethanat në të cilat aeroplani 8432 u rrëzua ndërsa u përpoq të bënte një ulje emergjente pranë Aktaut të mërkurën.

Azerbajxhani thotë se aeroplani u godit nga një raketë ruse tokë-ajër mbi Grozny, kryeqyteti rajonal i republikës ruse të Çeçenisë, më pas u urdhërua të fluturonte përtej Detit Kaspik pasi iu mohua një ulje emergjente në dy aeroporte ruse aty pranë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Raportohet se disa orë përpara se Kazakistani të shpallte vendimin e tij, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha se aeroploani u godit nga toka mbi Rusi dhe “u bë i pakontrollueshëm nga lufta elektronike”.

Lexo po ashtu Shtëpia e Bardhë: Indikacionet e para sugjerojnë se aeroplani është rrëzuar nga Rusia

Aliyev akuzoi Rusinë se po përpiqej të “fshehte” çështjen për disa ditë, duke thënë se ishte “i mërzitur dhe i befasuar” nga versionet e ngjarjeve të paraqitura nga zyrtarët rusë.

Ai tha Azerbajxhani i bëri tre kërkesa Rusisë në lidhje me rrëzimin.

“Së pari, pala ruse duhet t’i kërkojë falje Azerbajxhanit. Së dyti, duhet të pranojë fajin e saj. Së treti, të ndëshkojë fajtorët, t’i sjellë ata në përgjegjësi penale dhe t’i paguajë dëmshpërblim shtetit azerbajxhanas, pasagjerëve të lënduar dhe anëtarëve të ekuipazhit”, tha Aliyev.

Aliyev vuri në dukje se kërkesa e parë ishte “tashmë përmbushur” kur presidenti rus Vladimir Putin i kërkoi falje të shtunën.

Putin e quajti përplasjen një “incident tragjik” edhe pse nuk pranoi përgjegjësinë e Moskës.

Ndryshe, një hetim për përplasjen është në vazhdim dhe versioni përfundimtar do të dihet pasi të hapen kutitë e zeza. /Telegrafi/

Exit mobile version