Site icon Telegrafi

Rrëzimi i aeroplanit me lojtarët e Chapecoenses u shkaktua nga “gabimi njerëzor”

Rrëzimi i aeroplanit që shkaktoi vdekjen e 71 njerëzve, duke përfshirë shumicën e ekipit të Chapecoenses, është shkaktuar nga një gabim njerëzor – kanë bërë të ditur autoritetet kolumbiane të aviacionit.

Aeroplani që operohej nga kompania me bazë në Bolivi, LaMia, u rrëzua në malet në afërsi të Medellinit, sepse piloti kishte dështuar që ta rimbushte me karburant. Ai po ashtu nuk i ka raportuar dështimet e motorit të shkaktuar nga mungesa e karburantit, derisa ishte tepër vonë – kanë njoftuar zyrtarët.

Shumica e lojtarëve të Chapecoenses humbën jetën

Sekretari për Siguri Ajrore në Bolivi, koloneli Freddy Bonilla, ka thënë se asnjë faktor teknik nuk ka qenë shkaktar i aksidentit, si dhe gjithçka përfshin gabimin njerëzor. Ai ka shtuar se, përveç mungesës së karburantit, aeroplani ishte mbi vlerën e lejuar të ngarkesës për afro 400 kilogramë dhe nuk ishte i certifikuar për të fluturuar në lartësinë që ishte para se të rrëzohej.

Lexo po ashtu I mbijetuari i tragjedisë: Me vullnetin e Zotit do kthehem të luaj përsëri me fanellën e Chapecoenses

Ka pasur spekulime nga më të ndryshmet rreth rrëzimit të aeroplanit, ndër të cilat se pasagjerët janë vrarë. Duhet theksuar se piloti Miguel Quiroga ishte njëherësh bashkëpronar i kompanisë ajrore, ndërsa ka vdekur në aksident.

Aeroplani u rrëzua në afërsi të Medellinit

Shefi ekzekutiv i LaMia, Gustavo Vargas Gamboa, është në burg me akuzat për vrasje dhe padi të tjera, të cilat i ka mohuar. Djali i tij, Gustavo Vargas Villegas, po ashtu po mbahet për keqpërdorim të ndikimit të tij për marrjen e licencës për aeroplanin që u rrëzua.

Ndryshe, aeroplani po i dërgonte lojtarët e ekipit brazilian, Chapecoense, drejt ndeshjes së tyre më të madhe në histori – finalen e Copa Sudamericana. Rrëzimit i mbijetuan vetëm tre lojtarë, dy anëtarë të stafit dhe një gazetar. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Chapecoense e pranon zyrtarisht trofeun e Copa Sudamericana (Foto/Video)
Exit mobile version