Telegrafi

Rreziku nga protestat në Britani të Madhe, izolohet statuja e Winston Churchill

Statujat e figurave historike përfshirë ajo e Winston Churchill janë mbështjellur pas protestave të shumta në Londër, ndërsa Kryeministri Boris Johnson tha se ishte “turp” që monumenti i udhëheqësit të Britanisë së Madhe të ishte cak i një sulmi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, statuja e Edward Colston, i cili ishte bërë i pasur në shekullin e 17-të nga tregtia e skllevërve, u rrëzua të dielën e kaluar, kështu autoritetet u mobilizuan për t’i mbrojtur monumentet e tjera.

Ndërkohë, zyrtarët i vendosën një kuti izolimi statujës së Churchill, pasi protestuesit e spërkatën me bojë fundjavën e kaluar.

“Është absurde dhe e turpshme që ky monument kombëtar të jetë cak i një sulmi nga protestuesit e dhunshëm”, shkroi Johnson në Twitter.

Raportohet se vetëm të premten rreth 500 njerëz dolën për të protestuar në Londër – demonstrata këto që u shkaktuan si pasojë e vdekjes së George Floyd, njeriu me ngjyrë që vdiq gjatë arrestimit nga policia në SHBA. /Telegrafi/