Telegrafi

Rreziku nga deficiti buxhetor

Muhamet Sadiku, ekspert për ekonomi në institutin Riinvest, thotë se Kosova tashmë po rrezikon të humbë ndihmën buxhetore prej 80 milionw euro nga FMN-ja, si dhe po e vë në pikëpyetje gatishmërinë e Bankës Botërore për dhënien e kredive të buta.

"Rrezikon të humbë donacione mbi bazën bilaterale dhe krejt kjo do të reflektohet edhe para komunitetit të investitorëve. Sepse, investitorët strategjik nuk janë të gatshëm që të investojnë në vendet të cilat dalin jashtë marrëveshjes dhe programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, thotë Sadiku.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës do ta ketë të vështirë të sigurojë të hyra buxhetore që mbulojnë shpenzimet buxhetore, e të cilat duhet të jenë 20 për qind më shumë se sa një vit më parë. Sipas Sadikut, ajo nuk ka arritur që me argumente ta bindë Fondin Monetar Ndërkombëtar , se disponon me kapacitete për ta ngritur të hyrat në këtë përqindje.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe Lekë Musa, ekspert për ekonomi në Odën Amerikane në Kosovë. Ai vlerëson se humbja e donacioneve nuk është rreziku i vetëm që kanoset. “Ajo që është më brengosëse, është çështja e rrezikimit të një disipline fiskale dhe në periudhë afatgjate mund të rrezikohet edhe zhvillimi ekonomik. Sepse, në një vend ku ke rritje të shpenzimeve, ndërsa në anën tjetër nuk ke mundësi t’i mbulosh këto shpenzime, atëherë qeveritë, domosdo, do të fillojnë që ta ngarkojnë sektorin privat përtej normave proporcionale".

Musa ka thënë se përllogaritjet e Qeverisë së Kosovës për të siguruar mjetet buxhetore me shitjen e Post Telekomit të Kosovës ka mundësi të mos rezultojnë pozitivisht dhe në fund të këtij viti Kosova mund të ballafaqohet me mungesë të mjeteve për ti mbuluar shpenzimet e parapara.

Në anën tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar, përveç tjerash ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që për rezerva buxhetore t’i ndajë mbi 280 milion euro. Ndryshe, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se Kosova do të ballafaqohet me deficit buxhetor.

“Kosova, pas çdo viti buxhetor ka mjete të pashpenzuara rreth 400 milion. Mirëpo, këto mjete të pa shpenzuara nuk janë garanci se Kosova do ta shmangë deficitin buxhetor, sepse në rastin më të mirë deri më tash, ka mundur të ketë të hyra buxhetore rreth 1 miliardë euro". /Rel/Telegrafi/