Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka thënë se 10 ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për luftën kundër COVID-19 në Itali.
“Kurba e infektimit po stabilizohet”, i tha Speranza, gazetës së përditshme La Stampa, përcjell Telegrafi.
“Është ende herët për të thënë por ka arsye për të menduar se masat e fundit po japin disa rezultate”.
“Shtatë deri në 10 ditët e ardhshme do të jenë vendimtare”, ka thënë më tej ai, shkruan agjencia e lajmeve ANSA.
Ndryshe, në fillim të këtij muaji, qeveria italiane ka prezantuar një sistem me tri nivele të kufizimeve bazuar në rrezikun nga COVID-19 të një rajoni: të verdhë, portokalli dhe të kuqe.
Në fundjavë, Campania dhe Toskana u futën në bllokim pasi u futën në zonat e kuqe me rrezik të lartë, duke u bashkuar me Kalabrinë, Lombardinë, Piemonte dhe Val d’Aosta, plus provincën autonome të Bolzano.
Abruzzo, Umbria, Basilicata, Liguria, Puglia, Sicilia, Emilia Romagna, Friuli Venezia Giulia dhe Marche janë zona portokalli dhe përballen me kufizime më pak të rrepta.
Pjesa tjetër e vendit është me rrezik të moderuar – të verdhë – edhe pse Basilicata ka mbyllur shkollat e saj deri në 2 dhjetor dhe Abruzzo duket se do të shkojë në bllokim.
Speranza gjithashtu tha se ai nuk pret që vaksinimi masiv për COVID-19 të ndodhë deri në gjysmën e dytë të vitit 2021. /Telegrafi/