Qysh para fillimit të bisedimeve me Serbinë, ne kemi tërhequr vëmendjen për rrezikun që ngërthejnë në vete këto bisedime. Pa marrë parasysh se zëvendëskryeministrja, si e ngarkuara për zhvillimin e këtyre bisedimeve, me anë të terminologjisë nga e drejta ndërkombëtare popullit të Kosovës mundohej t’ia kamuflonte veprimet e vërteta, koha dhe ngjarjet në vazhdimësi, dekamufluan dhe, fatkeqësisht, vërtetuan shqetësimet tona se bisedimet nuk janë teknike – por politike.
Kur qeveria e një vendi tenton ta mashtroj popullin e vet, kjo është njëra prej gjërave më të shëmtuara që mund t’i ndodhë një vendi. Dhe, fatkeqësisht kjo Qeveri këtë po mundohet ta bëjë në vazhdimësi dhe jo vetëm me bisedimet.
Pjesa më e madhe e popullit të Kosovës ka jetuar në kohën që domosdoshmërish është dashur ta kaloj nëpër një fazë të zhvillimit politik, sa për të kuptuar domosdoshmërinë e bisedimeve në mes të shteteve si elemente taktike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjithashtu, kjo popullatë është e vetëdijshme për presionin e fuqive të mëdha për të imponuar zgjidhje të problemeve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Mirëpo, një pjesë e konsideruar e jona gjithashtu jemi të vetëdijshëm se koncepti i zgjidhjeve që ofrojnë të mëdhenjtë në këtë kohë, dallojnë shumë nga ato të konceptit të kohëve koloniale, të para Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, si dhe të Luftës së Ftohët. Këto zgjidhje që i ofrojnë institucionet ndërkombëtare, sidomos ato të involvuara në çështjen e Kosovës, janë pa pikë emocioni dhe me të vetmin interes që është: arritja e paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës.
Sado qe neve apo Serbisë i duket se ka hile në këtë punë, ajo është minimale, ngase zgjidhjet ofrohen mbi bazën e gjendjes në terren, e që në rastin konkret është e pafavorshme për ne dhe atë si rezultat i një varg faktorëve të shkaktuar në mese të madhe nga vet ne.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja nga shtetet me kredibile në botë nuk është rezultat i çastit. Në qoftë se dikush këtë e redukton vetëm si rezultat i luftës se vitit 1998-99, e ka shumë gabim. Stërgjyshërit dhe gjyshërit tanë kanë luftuar vazhdimisht, shumë me tepër se ne dhe për dallim, në fushë të betejës kanë dalë më fitimtarë se ne. Mirëpo, në planin politik nuk kanë arritur t’i kurorëzojnë fitoret e tyre. Kjo ka ndodhë në radhë të parë nga konceptet e fuqive që kanë pas në marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë periudhave të ndryshme historike, dhe së dyti nga krijimi i gjendjes faktike në teren.
Shpallja e pavarësisë erdhi si rezultat i një angazhimi nga viti 1991 e deri 1999, për të krijuar një gjendje në terren që i bindi ata që intervenuan ushtarakisht se ne mundemi që ta administrojmë këtë hapësirë prej afër 11 mijë kilometrave katrorë dhe prej afër dy milionë banorë, në mënyrë qysh i administrojnë hapësirat e vet pjesa më e madhe e shteteve demokratike.
Dhe, defekti i këtyre bisedimeve “tekniko-politike” pikërisht qëndron në zgjidhjet që ofrojnë shtetet e Bashkimit Evropian, mbi bazën e gjendjes në terren që e ka krijuar kjo Qeveri, e ajo është: Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka kapacitete për ta administruar tërë territorin e vet. Dhe, kjo gjendje është si rezultat i qasjes dhe veprimeve të gabuara në vazhdimësi që ka kjo klasë politike që aktualisht e udhëheqë qeverinë. Pa hyrë në veprimet dhe qasjet e këtij eshaloni politik para vitit 1999, ato të pas vitit ’99 i kanë degraduar tej mase të arriturat e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Së pari, dhe shumë domethënës, është fakti i presionit që ky eshalon politik bëri në vazhdimësi në organet e dala si rezultat i referendumit plebishitar të vitit 1991, dhe abrogimi i këtyre me presionin, vetëm e vetëm për të marrë pushtetin dhe për të thënë se “unë e shpalla pavarësinë”. Sa është e dhimbshme kjo është edhe shumë arkaike. Sikur të mos ndodhte kjo, tani domosdo do të kishim një situatë tjetër e cila për Kosovën do të kishte prodhuar një gjendje dhe pozitë tjetër juridike, politike ekonomike dhe të sigurisë.
Për analogji të kësaj po përmendim Rezolutën e Bujanit të dhjetorit të vitit 1943. Pavarësisht se ishte dëshirë e popullit shqiptar, nuk ishte vullnet popullor i shprehur me referendum, por deklaratë e 49 delegatëve nga hapësirat shqiptare. Në situatën gjeopolitike të pasluftës së Dytë Botërore, kjo deklaratë përpos karakterit historik nuk prodhonte ndonjë gjendje apo pozitë juridike, dhe në një takim formal i njohur si Kuvendi i Prizrenit, mbajtur në korrik të 1945, nën presionin e tytave të armëve “përfaqësues” nga pjesa më e madhe e Kosovës, e abroguan këtë deklaratë, dhe sot e kësaj dite këta “përfaqësues” etiketohen si tradhtarë.
Si ta quajmë eshalonin politik i cili pa kurrfarë presioni, por vetëm për shkak të një egoje arkaike abrogoj dhunshëm vendimet dhe nuk pranuan organet e dala nga referendumi i vitit 1991?
Së dyti, presioni i BE-së dhe SHBA-së, për të imponuar zgjidhje sipas situatës në teren, i cili pa dyshim është në disfavorin tonë, nuk do të ndodhte sikur një pjesën e territorit të Kosovës, pa veriun, të mbretëronte një gjendje ku Gjykata Kushtetuese nuk bën politikën e partisë në pushtet; ku zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk do të jenë në ballë të aferave për korrupsion në tenderët për blerjen e armëve dhe municionit, për korrupsion në tenderët për pasaporta; ku vidhen dhomat e dëshmisë; ku familjarët e pushtetarëve rrahin policët dhe prokurorët kanë frikë t’i penalizojnë; ku partia në pushtet zgjedhë në kryesi anëtarë të dënuar për vepër penale; ku kryetarët e komunave nga radhët e partisë në pushtet dënohen si të inkriminuar në vepra të rënda penale dhe nuk dërgohen ne vuajtje të dënimit; dhe ku rrihen nga policia dhe në burg dërgohen ata të cilët mendojnë ndryshe, ose i prishin planet qeverisë.
Nga këto kanë derivuar edhe një varg i dukurive të tjera negative që kanë kapluar vendin dhe që qytetarit kosovar po ia vështirësojnë përditshmërinë jetësore në fushën e ekonomisë, sigurisë, shëndetësisë, arsimit, fesë, kulturës dhe sport.
Këto fenomene që kanë rrëzuar kredibilitetin e Kosovës përtokë janë produkt i qeverisë të udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës. Plani i ofruar nga qeveria për veriun e Kosovës që ai të qeveriset nga Serbia dhe të mbahet nga taksapaguesit kosovarë, është guri i rëndë në qafën e Kosovës në rrugën drejtë Brukselit dhe në lundrimin transatlantik. Me këtë peshë, rruga jonë për në Bruksel dhe në Nju Jork do të jetë shumë e ngadaltë dhe sfilitëse. Dhe, jo vetëm ne, por edhe brezat e ardhshëm vështirë se do ta arrijnë. E, kur ne arrijmë, të tjerët të cilëve kjo qeveri po ju krijon favore, do të jenë duke u kthyer.