Telegrafi

Rrezikohet liria e medias në Maqedoni

Kjo bëhet e ditur në raportin e fundit të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa kufij”. Sipas raportit, gjatë tre viteve të fundit, Maqedonia ka shënuar rënie për 82 vende, derisa në vitin 2009 gjendej në vendin e 34 sa i përket lirisë së medias.

Në raport si shkas për rënien theksohet gjendja e renduar e ambientit mediatik ku punojnë gazetarët dhe se kjo gjendje është më e përkeqësuar në Maqedoni.

“Shqipëria, Mali i Zi dhe sidomos Maqedonia tregojnë fotografinë e dhimbshme të mediave në Ballkan. Nuk ka qasje të lirë në informata, dhunë fizike dhe psikike ndaj punëtorëve të medias si dhe qasja e keqpërdorimit të gjyqësorit në raport me gazetarët dhe mediat”, thekson raporti.

Sipas “Reporterëve pa kufij”, Parlamenti i Maqedonisë po përgatitet për të ‘legalizuar censurën”. Sipas indeksit të publikuar, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia janë tre vendet me respekt dhe liri të gjërë të medias, derisa vendet e fundit janë Turkmenistani, Korea e Veriut dhe Eritrea, ku mbizotërojnë regjimet diktatoriale. /Telegrafi/