Ka një të mirë Kosova, që të paktën nuk rrezikohet nga tërmete, nga ato të cilat rrëzojnë e rrafshojnë prej lëkundjeve të tokës, e që padyshim marrin dhe jetë njerëzish me shumicë.
Shemsi Mustafa, kreu i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, në një intervistë për tesheshi.com thotë se në 50 vite në Kosovë, mund të ndodh një tërmet me magnitude 6.0 shkallë të riterit, kurse në 100 vite, një tërmet me magnitude 6.5 shkallë të rihterit.
Në këtë intervistë ai ka renditur dhe tërmetet më të fuqishëm që kanë goditur Kosovën, duke siguruar njëherësh që vendi gjithsesi nuk kërcënohet prej tyre deri në faza tragjedie.
“Territori i Kosovës në aspektin sizmotektonik përfaqëson një terren aktiv, të dhënat për tërmetet nga e kaluara dëshmojnë qartë se dukuria e tërmeteve të forta në disa pjesë të territorit të Kosovës ka qenë evidente shumë herët dhe në bazë të këtyre ngjarjeve sizmike në të kaluarën, Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik”, ka thënë Mustafa.
Megjithatë, sipas tij, bazuar në Hartën e rrezikut sizmik për Kosovë që jep disa të dhëna për tërmetet për periudha kthyese, pra në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike.
“Sipas hartës se rrezikut sizmik për një periudhë kthyese 50 vite mund të ndodh një termet me magnitudë deri 6.0 shkallë te riterit, kurse për një periudhë kthyese 100 vite mund të ndodh një termet me magnitudë deri 6.1-6.5 shkallë të riterit kështu që në ketë fuqi të këtij lloji të tërmetit e quajmë si tërmet i fuqishëm”, ka shtuar më tej Mustafa.