Site icon Telegrafi

Rrezikohen banesa, rrëshqitje masive dherash në Porto Romano

Sipërfaqe të konsiderueshme toke kanë pësuar rrëshqitje masive në zonën e Porto Romanos, duke rrezikuar dhjetëra banesa dhe biznese. Banorët akuzojnë punimet jo cilësore të bashkisë së Durrësit për thellimin e kanalit të ujërave të larta.

Ndërsa bashkia pohon se problematika ka qenë e hershme dhe se ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të gjeologjisë për të përcaktuar shkaqet.

Sikur të mos mjaftonin përmbytjet në lagjet e Durrësit reshjet e shiut kane nxjerrë në pah dhe kanë zgjeruar hartën e problematikave edhe në zonën e Porto Romanos.

Banorët e lidhin këtë problematikë me investimin e bashkisë për thellimin e kanalit të ujërave të larta që kalon në zonë.

A2 CNN u interesua pranë Bashkisë së Durrësit për këtë problematikë, ku vetë Drejtori i Projekteve, pohoi jashtë kamerës, se problematika ka nisur më herët se të zbatohej projekti.

Pikërisht për këtë arsye bashkia ka kërkuar ndihmën e një eksperti gjeologjie për të identifikuar shkaqet dhe për t’i dhënë zgjidhje problematikës së krijuar. Deri atëherë banorët e zonës do të qëndrojnë me frikën e lëvizjes së tokës nën këmbët e tyre.

Exit mobile version