"Në mes të shqetësimit dhe qetësisë" është titulli i ekspozitës që Galica do të hapë në Turqi me ftesë të Universitetit Anadölu, universitet ky që në rang-listën botërore të cilësisë zë vend të tejet të lakmueshëm. Pjesë e shqetësimit të tij artistik janë edhe sfidat me të cilat po përballet shoqëria turke. Galica do të ekspozojë edhe një vepër artistike që i dedikohet vendimit të kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, për ndalimin e rrjetit të njohur social Twitter. Të gjitha veprat e Galicës, të realizuara si fotografi, print dhe posterë, do të ekspozohen në galerinë e arteve të Universitetit, më 26 maj të këtij muaji.
Ekspozita multimediale, sipas Galicës, përfshin punime të reja të tij të paekspozuara më parë. Ai ka zbërthyer edhe titullin e ekspozitës së parë personale që do të hapë në Turqi.
“’Në mes të shqetësimit dhe qetësisë’, për shkak se vetë ekspozita përbëhet nga dy cikle e zhanre: në njërën anë me posterë e print trajtoj tema më të nxehta e shumë provokuese, derisa te fotografitë jam fokusuar në anën tradicionale”, ka thënë ai.
Për herë të parë audienca turke do të njihet me artin e tij.
"Jam kureshtar të dëgjoj edhe mendimet atje. Po e pres me padurim. Ata kanë organizuar gjithçka dhe kanë ftuar artistë, personalitete e media në Turqi" shtoi ai.
"Në mes të shqetësimit dhe qetësisë" do të jetë në dispozicion të artdashësve turq të artit për një muaj.
Rrezeart Galica u lind më 25 shtator 1981, në Prishtinë. Gjatë viteve 2000-2005 studioi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Drejtimi i Dizajnit Grafik, ndërsa në vitet 2006-2008 kreu shkallën e tretë, ku magjistroi në këtë Fakultet, në Drejtimin e Dizajnit Grafik, Departamenti i Multimedias.
Punimet e tij të ekspozitës së parë personale, të titulluar "Para fillimit", janë bërë referencë e studentëve të artit në Akademinë e Arteve të Bukura të Peruxhas dhe Akademisë Katolike të Arteve në Milano në Itali. Aktualisht ndjek studimet në shkollën doktorale të QSA-së në Tiranë, në drejtimin e Historisë së Artit. /Telegrafi/