Telegrafi

“Rrethrrotullimi i vdekjes”, ende pa mburoja

Pas më shumë se një muaj nga aksidenti tragjik ku humbën jetën katër persona në rrethrrotullimin që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën dhe Mitrovicën, ende nuk janë vendosur mburojat e shkatërruara. Kështu, një pjesë e rrethit të rrugës ka mbetur e hapur, gjë që e rrit rrezikun për ngasësit.

AktivPress ka tentuar të marrë një qëndrim nga drejtoria e Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, por një përgjigje prej tyre ka qenë e pamundur të merret.

Në anën tjetër, anëtari i Shoqatës së Inxhinierëve të Komunikacionit, Kolë Paloka, ka deklaruar për gazetën se urgjentisht duhet të vendosen barrierat në atë pjesë, në mënyrë që të parandalohet ndonjë fatkeqësi tjetër.

“Këtu po shihet një neglizhencë e madhe nga Ministria e Infrastruktrës. Kjo punë nuk duhet të lihet në asgjë, se nëse një mburojë apo një shenjë e komunikacionit kushton shumë, atëherë duhet ditur se më shtrejt kushton jeta e njeriut, pasi ajo nuk paguhet. Prandaj, duhet të vendosen urgjentisht barrierat që të mos ndodhë një katastrofë tjetër”, ka thënë Paloka.

Rrethrrotullimi në Lakrishte, sipas tij, ka edhe mungesë të shenjave të komunikacionit, gjë që shpesh shkakton mosmarrëveshje tek ngasësit.

“Kam vërejtur që ka gabime të mëdha në këtë vend dhe pasojat po vërehen. Për ta zbutur situatën duhet të vendosen më shumë shenja të komunikacionit, sepse gjatë kyçjes në rrethrrotullim po vjen deri te mosmarrëveshja me pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Me vendosjen e shenjave horizontale dhe vertikale mund të zbutet kjo situatë”, ka thënë ai për AktivPress.

Në këtë rrethrrotullim edhe më herët ka pasur aksidente, por ky vend në mëngjesin e 28 korrikut doli të jetë vend fatal për familjen Alidemaj nga Vitia. Katër anëtarë të kësaj familje humbën jetën, pasi me automjetin e tyre patën rënë nga rrethrrotullimi. /AktivPress/