Site icon Telegrafi

Rrethi i turpit në Mitrovicë

Krerëve komunalë të Mitrovicës u shpërtheu skandali mu në qendër të qytetit

Tri vite më parë, udhëkryqi kryesor në qytetin e Mitrovicës u shndërrua në rrethrrotullim me një investim prej 29 mijë eurove. Ky rrethrrotullim nuk ishte ku me dit çfarë vepre e bukur, por ishte funksional. Me pretekstin që ky rrethrrotullim nuk është funksional sivjet, anipse kishin kaluar vetëm 3 vjet nga rregullimi i tij, u dha tenderi 200 mijë euro për t’u rirregulluar. Para disa ditësh rrethrrotullimi u lëshua në përdorim dhe autobusi i parë që kaloi aty u bllokua ngase staza ishte tepër e ngushtë dhe harku tejet i vogël për të qarkulluar. Sheshi u mbyll serish dhe kësisoj shpërtheu skandali. Ky shesh është kryqëzimi i dy rrugëve kryesore të Mitrovicës. Fatkeqësisht, Mitrovica edhe pse qytet mbi njëqindmijë banorësh ka vetëm dy rrugë me katër korsi, të cilat kryqëzohen pikërisht në sheshin për të cilin po bëhet fjalë.

Rikthimi i artit soc-realist

Për të qenë ironia edhe më e madhe në vend të fontanës që ishte më parë në mes të rrethrrotullimit tani janë vendosur ca vagoneta të ndryshkura që kanë shërbyer për bartjen e xeheve. Mitrovica është e stërndotur me plumb. Vetëm edhe këto hekurishte të ndryshkura, që ku ta dimë se sa xehe plumbi kanë bartur, i nevojiteshin në sheshin qendror. 22 vite pas pluralizmit politik në Ballkan i erdhi radha nostalgjikëve të realizmit socialist për të helmuar me plumb qytetarët në sheshin qendror të Mitrovicës

Arsyet e këtij skandali

Përse ndodhi ky skandal? Përse në komunën ku shumica e fshatrave nuk kanë rrugë të asfaltuara, ku më se 40% të rrugicave janë të paasfaltuara, ku shumë lagje nuk kanë fare kanalizim, ku ka shumë të pastrehë, ku ka mungesë hapësirash të gjelbërta, e mungesë parkingjesh, investohet vetëm në qendër të qytetit dhe bëhen të njëjtat punë brenda 3 viteve?

Filozofia e PDK-së në nivel lokal

Ky skandal është rezultat i filozofisë politike të PDK-së në nivel lokal. Është filozofia hakmarrëse ndaj elektoratit që nuk e votoi PDK-në. Edhe në lagjet ku rezultati zyrtar tregon fitore të kandidatit të PDK-së, u thuhet se “nuk investojmë tek ju se nuk keni votuar për ne”. Ne deklaratat se “në lagjen tonë ka fituar PDK” pason përgjigja se “e dimë ne se si kemi fituar”. Meqë, sipas kësaj del se kandidati i PDK në Mitrovicë nuk ka fituar në asnjë lagje, atëherë për t’u vjedhur paratë publike e për të mospërfituar ata që nuk e votuan atë, investimet bëhen pa nevojë vetëm në qendër të qytetit. Dhe kur investohet diku tjetër, atëherë bëhet vetëm për të bërë dëm siç është rasti i vendimit për fabrikën e riciklimit të mbeturinave në të vetmen lagje akoma të pakontaminuar: atë të Fushibrit ku ndodhen disa restauronte të mira që frekuentohen nga klientë nga mbarë Kosova.

Dhe duke vënë rruza në pe kësisoj edhe i zuri taksirati me skandalin e rrethrrotullimit. Vetëm duke krahasuar shifrat 29 mijë euro gjatë pushtetit të LDK-së dhe 200 mijë euro në pushtetin e PDK-së kupton shumëfishitetin e paskrupullsisë së zhvatjes së parasë publike të këtyre të fundit. Pllaka e detyrueshme me ligj se kush është investitori, projektanti dhe realizuesi i punimeve nuk është vënë fare. Kështu publiku nuk e di se kush është arkitekti që e projektoi projektin e dështuar që në fakt është personi nr.1 që duhet të jep përgjegjësi penale për këtë dështim që dëmtoi interesin publik për mëse 200 mijë euro.

Përgjegjësia e projektantit, drejtorit për zhvillim dhe kryetarit të Komunës

Përgjegjësisë penale nuk mund t’i ikin as drejtori i drejtorisë për zhvillim e as kryetari i komunës. Deri më tani turpi u takon këtyre treve, por tani e tutje nëse nuk ndërmarrin masat për të cilat i detyron ligji, turpi mund t’u takojë edhe shumë të tjerëve. Turpi mund t’u takojë prokurorisë komunale në Mitrovicë, prokurorisë së qarkut në Mitrovicë dhe kryeprokurorit të shtetit Ismet Kabashi që vjen nga Mitrovica dhe nuk mund të bëhet sikur s’po sheh asgjë. Nëse dikush me injorancën dhe papërgjegjësinë e vet bllokon një qytet 100 mijë banorësh, vallë çka pret prokurori? Pale pastaj 200 mijë euro të taksapaguesve që shkuan për dhjam qeni.

Turpi do të bjerë edhe mbi rektorin e Universitetit të Prishtinës nëse pas këtij skandali nuk ndërmerr procedurën e zhvlerësimit të diplomës arkitektit që ka nënshkruar këtë projekt skandaloz. Turpi do të bjerë edhe mbi mediat nëse ato nuk merren me këtë skandal. Nëse ky skandal në Mitrovicë kalohet pa u dënuar, atëherë secila komunë e Kosovës mund ta fitojë rrethin e vet të turpit. Mediat që pretendojnë të jenë të pavarura dhe neutrale si dhe ato opozitare e kanë rastin të shohin se si korrespodentët e tyre ua ka korruptuar udhëheqja komunale e Mitrovicës, me çfarë të drejte morale e konsiderojnë vetën media të pavarura e jo tellallë të pushtetit. Kur turpi ndodhë në qendër të qytetit është detyrë e të gjithë qytetarëve të distancohen nga turpi se ndryshe bëhen edhe ata me turp.

Exit mobile version