Nga: Anila Dedaj
“Për zërin e pagabueshëm poetik, që përmes një bukurie rigoroze e bën universale ekzistencën individuale”. Është ky motivacioni mbi të cilin Akademia Suedeze vlerësoi poeteshën amerikane Louise Elisabeth Gluck, si fituesen e Nobelit prej 950 mijë eurosh në Letërsi, për vitin 2020.
Me dy çmime të rëndësishëm gjatë karrierës, si “Pulitzer” (1993) dhe National Book Award” (2014), docentja e Universitetit Yale, e dalluar për stilin e saj unik dhe të pasur poetik, me esetë e kopsitura për ajkën e letërsisë botërore, duket se është mjaft e pëlqyer nga kritika ndërkombëtare. Pas peripecive të viteve të kaluara, Akademia Suedeze lajmin e fituesit të Nobelit të Letërsisë edhe këtë vit e dha në mënyrë të pazakontë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në një lidhje direkte e më një publik tepër të kufizuar, për shkak të situatës së pandemisë, Akademia arriti gjithsesi të mbante të mbërthyer vëmendjen mediatike. Kureshtja e publikut justifikohet edhe me faktin e skandalit seksual të 2018-ës që parapriu ceremoninë e një viti më parë, ku u dhanë dy çmime njëherësh. Ai i polakes Olga Tokarczuk dhe shkrimtarit kontrovers Peter Handke që kishte mbështetur Sllobodan Millosheviqin në të shkuarën.
Ceremonia e ndarjes së çmimit pritet të mbahet në 10 dhjetor në Stokholm.
Ndonëse gëzon gjykime pozitive të kritikes, nobelistja më e re e letërsisë, Louise Gluck, është pak e njohur në nivel ndërkombëtar. Poetja amerikane nuk ishte pjesë e “toplistës” së kandidatëve për Nobel, që mediat ndërkombëtare kishin publikuar në sajë të përllogaritjeve dhe sondazheve gjatë ditëve të fundit.
Louise Gluck, e lindur në Nju-Jork, vjen nga një familje emigrantësh me origjinë hebraiko-hungareze. Në Shtetet e Bashkuara, Gluck është autore shumë e vlerësuar nga kritika, që ka fituar një sërë çmimesh të rëndësishme. Në vazhdën e karrierës së saj ka publikuar dymbëdhjetë antologji poezish.
Çmimi Nobel për Letërsinë i dorëzohet autorit apo autores që në “fushën e letërsisë botërore është dalluar për veprat e tij në një drejtim të caktuar”. Pra, çmimi më i rëndësishëm botëror i karrierës në një farë kuptimi nuk jepet për një vepër të vetme.
Çdo vit propozohen dhjetëra kandidatë nga anëtarë të Akademisë Suedeze, nga docentë të letërsisë të universiteteve kryesore të botës dhe nga presidentë të rëndësishëm të institucioneve gjuhësore, deri në fund të janarit. Në pranverë krijohet një listë paraprake me maksimumi 20 emra dhe një përzgjedhje e mëtejshme çon në reduktim. Në vijimësi, gjatë verës, anëtarët e Akademisë studiojnë veprat e të gjithë të nominuarve.
Mes të përzgjedhurve, në tetor shpallet fituesi i Nobelit, që këtë vit merr 950 mijë euro. Zakonisht, “pretendentët” e përfolur janë shkrimtarë që kanë qenë të favorizuar prej vitesh, si japonezi Haruki Murakami, apo shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, por që kurrë nuk e kanë fituar çmimin.
Vitin e kaluar u tha se kriteret e përzgjedhjes të fituesit kishin ndryshuar duke shpjeguar se zgjedhja do të ishte më pak eurocentrike se në të shkuarën dhe më pak e orientuar drejt burrave dhe me Gluckin duket se premtimi u mbajt.
Nga viti 1901, kur u dorëzua për herë të parë Nobeli për Letërsinë, kanë fituar 101 burra dhe 16 gra. E para ishte shkrimtarja suedeze Selma Lagerlof, në vitin 1909, ndërsa e fundit fituesja e çmimit për 2020-ën. /Panorama/