Në raundin e 5 të bisedimeve Kosovë-Serbi, më 2 korrik u arritën tri marrëveshje mes tyre. Reagimi vlerësues ndaj këtyre marrëveshjeve nga faktorë të ndryshëm, madje edhe të kundërt politikë, ka qenë i menjëhershëm dhe publik. Duke bërë një parashtrim të faktorëve politikë sipas përkatësisë shtetërore dhe duke ballafaquar vlerësimet e bëra prej tyre për të tria marrëveshjet e arritura, do të përpiqem të jap mendimin tim për ecurinë e mëtejshme të bisedimeve Kosovë-Serbi.
1. Bashkëbiseduesit dhe vlerësimi i tyre i ngjashëm në kundërshti
– Përfaqësuesja e Kosovës, znj. Edita Tahiri, ka deklaruar se arritja e marrëveshjes është një hap i parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
– Shefi i ekipit serb në negociatat me Kosovën në Bruksel, B. Stevanoviç, u deklarua, njëkohësisht me znj. Tahiri, se marrëveshjet kanë shmangur në mënyrë implicite dhe eksplicite njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
– Kryenegociatori i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper, pas arritjes së tri marrëveshjeve falënderoi përfaqësuesit zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë, për këto bisedime, duke veçuar një tipar të përbashkët të tyre: “negociuan të dy ekstremisht fort!”.
2. Faktorët politikë opozitarë në Kosovë dhe në Serbi
– Partitë kryesore opozitare në Kosovë, dukshëm dhe zyrtarisht janë shfaqur kundër pranimit dhe nisjes së negociatave Kosovë-Serbi, tashmë që janë arritur këto tri marrëveshje, jo vetëm deklarohen kundër, por edhe kërkojnë “penalizim” të qeverisë, që u hapi rrugë atyre. LDK-ja, partia më e madhe opozitare, i denoncoi si antikushtetuese këto marrëveshje, dhe ka kërkuar ratifikimin e tyre në Kuvendin e Kosovës me shumicë të cilësuar votash (me 2/3 e deputetëve).
– Koshtunica, lideri i Partisë Demokratike të Serbisë, e konsideron arritjen e këtyre marrëveshjeve: “Goditje të rëndë për Serbinë”. Të nesërmen e arritjes së marrëveshjeve, ish-kryeministri serb konkludon: “Serbia gjatë historisë ka pasur ngritje dhe rënie, fitore dhe humbje, por kjo është hera e parë që regjimi e shpall fitore kapitullimin dhe mashtron popullin”.
3. Struktura shtetërore, qeveritarët e Kosovës dhe të Serbisë
– Deklarohen njëherësh “fitimtarë” dhe të kënaqur me arritjen e tri marrëveshjeve. Çdo palë i cilëson marrëveshjet si hapa diplomatikë në favor të vet, duke akuzuar njëherësh e publikisht njëra-tjetrën për keqkuptim dhe keqinterpretim të marrëveshjeve të arritura.
– Kryenegociatori serb në Bruksel, z. Stefanoviç, nxitoi për të dytën herë të theksonte idenë se Prishtina vazhdon “njëanshëm që të ndryshojë realitetin në Kosovë”. Dhe u “nxitua” për t’iu kundërvënë ministrit tonë të Brendshëm, z. Rexhepi, që paralajmëroi se zbatimi i marrëveshjeve të 2 korrikut do të përjashtojë, në kuadër të ligjeve të Kosovës, përdorimin e dokumenteve biometrike serbe, që duhet të zëvendësohen me dokumente të Kosovës dhe se deri më 1 nëntor duhet të shpërbëhen strukturat paralele serbe në Kosovë.
– Stefanoviç, në vazhdim të kundërvënies ndaj deklarimit të z. Rexhepi, u shfaq qartë dhe aspak diplomatikisht për arsyen e kësaj kundërvënie: Me keqinterpretimin zyrtar, Kosova synon të shmangë implementimin e plotë të marrëveshjeve të arritura më 2 korrik.
4. Faktori shqiptar, tej kufijve shtetërorë të Kosovës
– Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, vetëm një ditë më pas arritjes së marrëveshjeve në Bruksel, përmes një deklarate përshëndeti arritjen e marrëveshjeve. Në këtë deklaratë zyrtare, thuhet: “Marrëveshjet janë në përputhje me frymën e bashkëpunimit dhe integrimit europian të rajonit dhe i afrojnë këto dy vende e gjithë rajonin më afër me BE-në”.
– Lideri i Partisë për Veprim Demokratik, ekzistuese dhe aktive në Luginën e Preshevës, z. Riza Halimi, po të nesërmen e arritjes së marrëveshjeve në Bruksel, pasi vlerëson këto, thotë se me to “përfundon getoizimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që u krijua pas vitit 1999 dhe mundësojnë lidhje më të lira me Kosovën”.
5. Faktori ndërkombëtar
– BE-ja, ndërmjetëse, e pranishme dhe garantuese e zbatimit të tri marrëveshjeve të arritura më 2 korrik e ka mirëpritur dhe përshëndetur arritjen e tyre. Katerine Ashton, në takimin me Kryeministrin tonë, z. Thaçi, kërkoi prej tij, në emër të BE-së, jetësimin e shpejtë të marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
– Zv.presidenti i SHBA-së, Xh. Bajdon, pas takimit të shkurtër që zhvilloi në Romë me Presidenten tonë, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve të 2 korrikut, duke theksuar nevojën për përparimin e mëtejshëm në çështje që sjellin përfitime praktike për qytetarët e të dyja vendeve.
E bëra gjithë këtë parashtrim për të qenë mirëkuptueshëm në kundërshtimin tim ndaj kërkesës së LDK-së që kërkon miratimin dhe ratifikimin e tri marrëveshjeve të arritura në Kuvendin e Kosovës. E kuptoj ndjesinë “patriotike” të LDK-së, që kërkon “ratifikimin” e marrëveshjeve në Kuvend. Nuk dëshiroj të gjykoj për argumentet motivuese të kësaj kërkese dhe ca më pak, për synimet e saj. Por, gjithsesi, një parti e madhe ish-qeverisëse dhe pretendente kryesore për të qeverisur, nuk shfaqet e arsyeshme në kërkesën për ratifikimin e tri marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë nga Kuvendi i Kosovës. E them këtë nisur nga:
Marrëveshjet e arritura në Bruksel u bënë nën supervizionin dhe garancinë e implementimit nga BE-ja. Kosova dhe Serbia, institucionet shtetërore që u ulën për të biseduar dhe arritën të përfundonin tri marrëveshje, kanë qenë dhe vazhdojnë të përballen me ndjesi në shumicë nacionaliste dhe politike kundër marrëveshjeve: Mendoj se në këtë situatë është i dëmshëm ratifikimi i marrëveshjeve të 2 korrikut në Kuvend, sepse autorët, supervizorët dhe garantuesit e bisedimeve në Bruksel nuk kemi qenë ne: (shteti i Kosovës, apo faktori shqiptar). Bisedimet në Bruksel u organizuan, u supervizuan dhe garantohen nga BE-ja. Bisedimet Kosovë-Serbi u tejkaluan me një rezolutë të pavotuar nga opozita, që sot kërkon ratifikimin në Kuvend. Serbia synon dhe kërkon që ne t’u kundërvihemi marrëveshjeve. Kërkuesit e ratifikimit të tri marrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës pa dashur të paragjykoj, me ose pa dashje rrezikojnë: politika le të përballet dhe të zgjedhë mes interesave politike dhe shqiptarizmës!
(Marrë nga Shqip)