Është duke vazhduar aplikimi i votuesve nga diaspora për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Afati për regjistrimin për votim jashtë Kosovës kishte filluar më 10 korrik, kurse do të përmbyllet më 18 gusht.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka deklaruar për Telegrafin, se deri tani kanë pranuar rreth 9 mijë aplikime.
“Numri i aplikuesve deri sot është rreth 9 mijë. Afati i aplikimit përfundon me 18 gusht”, tha ai.
Gjatë kësaj periudhe 40 ditore, shtetasit e Kosovës më të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës kanë pasur mundësinë të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës.
Ndërkaq, të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës, e cila fillon më 17 shtator dhe përfundon më 15 tetor 2021.
Ndryshe, subjektet politike kanë të drejtë 30 ditë për të bërë fushatë zgjedhore. Ndërkaq, shumica prej partive tashmë kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetar të komunave.
Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga 17 qershori deri më 16 gusht ka pranuar aplikacionet e 94 subjekteve politike, prej të cilave 32 parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4 mijë e 922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale. /Telegrafi/