Site icon Telegrafi

Rreth 80 varka me vlerë miliona euro janë shkatërruar pasi një zjarr i madh përfshiu një depo në Marbella, Spanjë

Një zjarr i madh në një depo në Marbella, Spanjë, raportohet se ka shkatërruar më shumë se 80 varka.

Shumë prej anijeve në kontejnerin në portin e peshkimit La Bajadilla ishin me vlerë miliona euro, citohet të kenë thënë burimet lokale.

Alarmi i emergjencës ra rreth orës 19:00 me orën lokale dhe policia, zjarrfikësit dhe ambulancat u mobilizuan duke shkuar në vendin e ngjarjes, përcjell Telegrafi.

Hyrja në port ishte e rrethuar, por turma të mëdha u mblodhën ndërsa flakët pushtuan ndërtesën.

Mësohet se objekti, i cili i përket Marina Marbella, përdoret për ruajtje dhe riparime varkash.

Një raport lokal, i cili ende nuk është konfirmuar nga zyrtarët, tha se rreth 80 varka midis 20 dhe 40 metra të gjata ishin në magazinë në momentin që u përfshi nga flakët.

Ndërkohë pamjet tregojnë tym dhe zjarr që buron nga struktura e shkatërruar.

Një zëdhënës i bashkisë së Marbella konfirmoi: “Rreth 30 zjarrfikës po punojnë për shuarjen e zjarrit në një magazinë detare në portin La Bajadilla”.

Kryebashkiaku i qytetit Angeles Munoz shtoi në një postim në Twitter: “Po ndjek zhvillimin e situatës pasi zjarri shpërtheu në magazinën Marina Marbella në portin e peshkimit”.

Për fat të mirë, raportohet se asnjë ndërtesë tjetër në zonë nuk është prekur. /Telegrafi/

Exit mobile version