Site icon Telegrafi

Rreth 721 mijë udhëtarë kanë udhëtuar me aeroplan

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit” për TM3 2018, me të dhëna mbi transportin ajror, hekurudhor, rrugor, dhe telekomunikimin.

Në territorin e Kosovës, janë gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport. Në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë gjithsej 9 lokomotiva, prej tyre shtatë disel dhe dy trena motorikë. Lokomotivat bartin dhjetë vagonë për udhëtarë dhe 1420 vagonë për mallra.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2018, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte 33 mijë, krahasuar me tremujorin e njëjte të viti të kaluar (TM3 2017), ku numri i udhëtareve ështërritur për 41.90%”, ka njoftuar ASK-ja.

Transporti i mallrave me tren në tremujorin e tretë të vitit 2018 ishte 93 mijë tonë,krahasuar me periudhën e njëjte të viti të kaluar (TM3 2017), ku ka një ulje për 35.60%.

“Sa i përket numrit të fluturimeve në tremujorin e tretë të vitit 2018, kemi pasur 2542 fluturime ose 6.63% më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM32017). Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet udhëtimi gjatë këtij tremujori ishte rreth 721 mijë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2017), ku ka një rritje për 11.81%”, thekson raporti i ASK-së.

Bazuar në kërkesën e Eurostat-it, duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti(TM2 2018), publikimi ka pësuar disa ndryshime në pjesën e telekomunikimit, duke përfshire të dhëna edhe nga operatorët e tjerë, në mënyrë që të mbulohen të gjitha shërbimet e telekomunikimit të ofruara në vendin tonë. /Telegrafi/

Exit mobile version