Site icon Telegrafi

Rreth 700 mijë euro dëme në bujqësi nga vërshimet

Reshjet e ditëve të fundit, në disa komuna të Kosovës kanë dëmtuar sipërfaqe të mëdha të te mbjellave, posaçërisht kulturat e grurit.

Qindra hektarë tokë bujqësore, por edhe shtëpi banimi, edhe më tutje ndodhen nën ujë, pasi kanë dalë nga shtrati disa lumenj në rajone të ndryshme.

Ndonëse për reshjet e fundit, autoritetet kompetente në Kosovë, nuk kanë nxjerrë ndonjë vlerësim, nga reshjet shiut të muajit janar, sipas tyre, dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore, kanë arritur në rreth 650 mijë euro.

Jusuf Cikaqi, nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për Radion Evropa e Lirë, tregon se mbi 90 mijë hektarë janë të mbjella me kultura vjeshtore, ku bën pjesë gruri dhe elbi, kurse të mbjellat pranverore janë në fazën fillestare.

Cikaqi, ndërkaq thotë se në komunat ku ka pasur vërshime ditëve të fundit, pritet të ketë edhe dëme në bujqësi.

“Aty ku ka pasur vërshime aty pritet të ketë edhe dëme. Sipas informacioneve që ne kemi nga terreni rezulton se në këtë vit, reshje dhe vërshime ka pasur edhe në fillim të muajit janar”.

“Në këtë muaj janë prekur disa komuna, dhe në bazë të raporteve është vlerësuar se dëmet në kulturat bujqësore nga vërshimet kanë arritur në 637 mijë euro. Ndërsa për reshjet e fundit që kanë ndodhur këto ditë, jemi në fazën e grumbullimit të informacionit”, thotë Cikaqi.

Për ndikimin e vërshimeve në zhvillimin e bimëve, me theks të veçantë në kulturat grurit, flet edhe Arben Mehmeti, profesor në Fakultetin e Bujqësisë.

Kurse sa i përket kulturave pranverore reshjet e fundit, sipas tij, janë të mirëseardhura, por mund të ndikojnë në vonesën e përgatitjes se tokës dhe të mbjellave të tjera,

“Këtu është më rëndësi edhe tipi i tokës. Disa toka e mbajnë lagështinë, kurse disa toka e lëshojnë lagështinë. Sidomos te tokat që mbajnë lagështinë, rreziku është më i madh, e gjithashtu në vendet ku përgatitja e tokës nuk është bërë në nivel të duhur, aty grumbullohet uji më shumë, dhe pikërisht ku qëndron uji për një periudhë të gjatë, ai ndikon negativisht tek bimët e kultivuara”, thotë zoti Mehmeti.

Por, përfaqësues të bujqve në Kosovë shprehen të shqetësuar se nuk ka ndonjë fond të veçantë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Tahir Tahiri, kryetar i shoqatës të Bujqve në Kosovë, madje thotë se institucionet përkatëse nuk kanë treguar ndonjë transparencë në këtë fushë.

“Ne nuk jemi të kënaqur me kompensim të dëmeve. Të marrim vitin e kaluar, 500 mijë euro ka qenë fondi i ndarë për këtë çështje, për nivel vendi. Kurse kjo vlerë, madje edhe për një komunë, është shumë e vogël”.

Ndryshe zyrtarë të Ministrisë se Bujqësisë, tregojnë që se shpejti do të themelohet një Fond për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi.

Ky fond, i cili fillimisht pritet të ketë 500 mijë euro, do të kompensojë dëmet e shkaktuara pas miratimit të tij. /Rel/Telegrafi/

Exit mobile version