Site icon Telegrafi

Rreth 50 mijë të vdekur nga COVID-19 në Brazil

Brazili është afër arritjes së shifrës prej 50 mijë të vdekurve nga sëmundja COVID-19, teksa ky shtet i Amerikës Jugore, ka konfirmuar mbi 1 milion të infektuar nga ky virus.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 49,976 persona kanë vdekur në Brazil nga ky virus deri më 20 qershor. Vetëm gjatë 20 qershorit, në këtë shtet janë regjistruar 1,022 viktima.

Brazili, shteti me popullsinë më të madhe në Amerikën Latine, me rreth 211 milionë banorë, ka konfirmuar rastet e para me COVID-19 më 26 shkurt, dhe ka kaluar shifrën prej 1 milion rastesh më 19 qershor.

Ekspertët thonë se numrat real mund të jenë shumë më të larta, për shkak se në vend ka mungesë të testimeve në masë.

Presidenti i vendit, Jair Bolsonaro është kritikuar për shkak të mënyrës se si po e menaxhon krizën. Ai ka kritikuar distancën sociale, duke thënë se ajo është një masë që mbyt vendet e punës dhe është më e rrezikshme se vet virusi.

Pavarësisht shifrave të larta, në Brazil më 11 qershor, janë hapur qendrat tregtare në dhjetëra qytete.

Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë numër më të lartë të viktimave se Brazili. SHBA-ja mbetet shteti i goditur më së keqi nga pandemia me 119,654 vdekje dhe mbi 2,2 milionë raste të konfirmuara me COVID-19.

Por, SHBA-ja më 20 qershor, në ditën e dhjetë radhazi regjistroi më pak se 1 mijë të vdekur nga COVID-19 në baza ditore, thuhet në të dhënat e publikuara nga Universiteti Johns Hopkins. /REL/

Exit mobile version