Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe kjo mund të jetë fatale. Rreth 47% e të gjitha vrasjeve të grave janë kryer nga anëtari i familjes ose partneri intim.
Këtë vit, “16 ditë aktivitete kundër dhunës ndaj gruas”, Kosova do t’i bashkëngjitet me aktivitete vetëdijesuese me tre fushata botërore, të cilat luftojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Fushata e “Kordelja e bardhë”, e cila simbolizon një zotim personal nga ana e meshkujve se asnjëherë nuk do të keqtrajtojnë dhe nuk do të heshtin dhunën ndaj grave.
Fushata “Stepup” nga VAWE, e cila promovon të drejtat e grave të mbijetuara të dhunës dhe fëmijët e tyre për të pranuar mbështetje dhe mbrojtje në gjithë Evropën.
Fushata “Ngjyrose botën portokalli”, nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për “T’i dhënë fund dhunës ndaj grave” për një të ardhme më të mirë, më të ndritshme dhe optimiste.
Motoja e kësaj fushate është “burrat e vërtetë nuk i rrahin gratë” dhe theksi i aktiviteteve të fushatës se këtij viti do të jetë angazhimi i komunitetit dhe individit, si dhe ngritja e vetëdijes nëpërmjet avokimit “derë më derë”, e jo vetëm në ndërtesat qeveritare dhe në qytete por edhe në fshatra, rrugë, dyqane, biznese, shkolla, biblioteka dhe tregje.
“Të gjithë kanë një rol për të luajtur në komunitetin e tyre: burrat, djemtë, udhëheqësit fetarë, politikanët, pronarët e dyqaneve, mësuesit, shërbyesit civil, mjeket, policët etj. Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve nuk mund të tolerohen, sidomos në një shoqëri si e jona, që familjen e sheh si një bërthamë të shenjtë”, thuhet në komunikatën e Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë. /Telegrafi/