Telegrafi

“Rreth 445 mijë qytetarë në Maqedoni nuk mund të sigurojnë ushqimin ditorë”

Rreth 445 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë probleme me sigurimin e ushqimit, ose kanë vetëm një vakt në ditë, tregojnë analizat e koalicionit qytetar “Hajde Maqedoni”. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, sot realizoi takim pune me ministrin e Financave, Dragan Tevdovski, ministrin e Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, përfaqësues të koalicionit qytetar dhe drejtorin e Institutit Demokratik Kombëtar, Kris Henshou, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njoftuan se në takim përfaqësuesit e koalicionit qytetar kanë prezantuar rezultatet e analizave, me të cilat vërtetohet se sa qytetarë kanë problem me sigurimin e ushqimit dhe nga ana tjetë sa ushqim hudhet ose nuk përdoret.

“Analizat tregojnë se rreth 445 mijë qytetarë kanë problem me sigurimin e ushqimit, ose mesatarisht kanë vetëm një vakt në ditë, ndërsa hudhet mes 4.500 dhe 6.500 ton ushqim me vlerë mes 8 dhe 11.6 milionë euro, me të cilin mund të ushqehen rreth 13 mijë qytetarë me nga tre vakte në ditë”, njoftojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Nga kjo ministri paralajmërojnë krijimin e grupeve të punës në periudhën e ardhshme, të cilat do të kujdesen për personat që nuk mund të sigurojnë ushqimin e tyre ditorë./Telegrafi/