Telegrafi

Rreth 37,000 euro u mblodhën nga ngjarja Let’s Dance dhe fushata e diabetit!

Donatorë, mbështetës dhe miq të Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) u mblodhën në edicionin e sivjetmë të eventit “Let’s Dance 8”, një traditë e dashur në kryeqytetin tonë.

Mbrëmja festoi shpirtin e komunitetit dhe mblodhi mbështetës të kauzave për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve të Kosovës.

Në këtë mbrëmje u nderuam me prezencën e kryetarit të kryeqytetit, z. Përparim Rama dhe znj. Kristale Ivezaj si dhe kabinetit të tij. Poashtu mysafirë si përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, organizata e individë nga fusha të ndryshme ishin pjesë e kësaj mbrëmje.

Në fjalën e saj të hapjes, Rina Demiri Spahija, Drejtore Ekzekutive e AMC, shprehu mirënjohjen e përzemërt për të gjithë të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme. Ajo ndau:

“Ndërsa ‘Let’s Dance’ njihet për ritmet e tij të gjalla, tema e këtij viti, ‘Diabeti nuk i ndalon ëndrrat’ sjell një ritëm më ndryshe. Ky edicion shënon fillimin e një kapitulli të ri për AMC-në në mbështetje të iniciativave të reja, pra fëmijëve me diabet.

Për dhjetë vite me radhë AMC ka mbështetur klinikën e neonatologjisë me furnizimin e medikamentit të Surfaktantit, i cili ka pasur rol krucial për shpëtimin e jetëve të foshnjave premature. Surfaktanti tanimë është në listën e barnave esenciale të cilat sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë. Për këtë arsye, AMC ka hapur një shteg të ri të avokimit dhe mbështetjes së fëmijëve. Për herë të parë në Kosove, AMC do të mbështesë Klinikën e Pediatrisë, për sigurimin e pajisjeve mjekësore të nevojshme për fëmijë me diabet.

Përmes fushatës “Diabeti nuk ndalon ëndrrat” AMC veçse ka kryer një pjesë të furnizimit të Klinikës së Pediatrisë me medikamente në vlerë prej 161,000 Euro të cilat përdoren për rastet e hiper kolesterolit, ndërsa me fondet mbledhura në këtë natë do të blejë pajisje dhe materiale shpenzuese për fëmijët me diabet siç janë monitorët e vazhdueshëm të glikemisë.

Ky donacion do të plotësojë nevojat e vetëm dhjetra fëmijëve për një vit të tërë, por AMC për vitin e ardhshëm ka vendosur në qendër të punës së saj avokuese plotësimin e nevojave për fëmijët me diabet. Poashtu, do të bëhet rregullimi i  dhomës argëtuese – edukuese për fëmijët që marrin shërbime në Klinikën Pediatrike.

Gjatë kësaj ngjarje u dhanë dy çmime Çmimi Champion for Mothers and Children iu dha organizatorëve të Cycle Kosovo for Children, duke vlerësuar përkushtimin dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për furnizimin me pajisje mjekësore klinikën pediatrike, neonatologjike dhe spitalet anembanë Kosovës.

“Çmimi i Kurajos” iu dha vogëlushes Jara Hasolli, një atlete e re e cila edhe pse është e diagnostikuar me diabet, nuk i ndalë ëndrrat e saj. Nëna e saj ndau historinë e tyre frymëzuese të përballjes me sfidat e përditshme të diabetit. Ky rrëfim preku zemrat e të gjithë të pranishmëve, duke shfaqur qëndrueshmërinë dhe fuqinë e mbështetjes familjare, por njëkohësisht duke kërkuar mbështetjen e zinxhirit institucional.

Mbrëmja e shumëpritur u shoqërua me ushqim dhe pije pa fund për të gjithë mysafirët, me një atmosferë të ngrohtë dhe muzikë të bukur nga Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra si dhe DJ Wise.

Ngjarja i la të pranishmit të frymëzuar dhe të bashkuar në përkushtimin e tyre për avancimin e misionit të AMC për të ardhme më të shëndetshme për fëmijët e Kosovës.

AMC dëshiron të falënderoj të gjithë donatorët e këtij edicioni si dhe gjithë individët që kanë blerë bileta dhe kanë dhuruar donacione.

Falënderojmë Korporatën Rugove –  Sponsor Platin, si dhe sponsorët tjerë KEP Trust, KRK (Kreditimi Rural i Kosovës), Banka NLB, BPB – Banka për Biznes, Acibadem, B Ideas, Qumështi Vita, Royal Beverages, Migros Group, Neptun, Finca, Recura, Meridian Express, Mahagoni, HyperActive, partnerin medial Telegrafi, Ujë Jana, Oxford Studio – për ofrimin e kursit pa pagesë për Jara Hasollin dhe mbështetësit, Prime Events, Arben Llapashtica dhe PI Communications që na mbështetën në këtë edicion me shërbimet e tyre.