Site icon Telegrafi

Rreth 2700 punëtorë të Postës dhe Telekomit pa rroga, Sindikata paralajmëron protesta për të martën

Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës përmes një njoftimi për media ka paralajmëruar protestë për të martën, pasi Telekomit të Kosovës i janë bllokuar llogaritë bankare dhe rrjedhimisht punëtorëve po u mohohet paga.

Në njoftimin për media thuhet se PTK në vitet e fundit është ballafaquar në vazhdimësi me sfidat që ka kaluar dhe po kalon kompania jonë.

“Jemi munduar në maksimum të bëjmë denoncimet për kontratat e dëmshme dhe faktorët që kanë ndikuar në gjendjen aktuale të kompanisë, këto denoncime i kemi bërë në të gjitha instancat shtetërorë media e deri te Kryeprokurori i Shtetit.

Siç jeni në dijeni nga datën 29.02.2024, Telekomit të Kosovës i janë bllokuar llogarit bankare për t’ju zhvatur miliona euro ashtu siç i janë zhvatur edhe në të kaluarën. FSP-PTK ju ka bërë të qartë të gjitha institucioneve shtetërorë edhe më herët, por edhe sot se përgjegjësia për një tentim shkatërrim e degradim të Telekomit të Kosovës është  komplet e tyre duke mos ndërmarr hapa për ndalimin e kësaj gjendje”, thuhet në njoftim.

Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës këtë gjendje e cilëson alarm të kuq, pasi sipas tyre, në çdo moment janë duke u rrezikuar mbi 1700 punëtorë të Telekomit të Kosovës dhe mbi 1000 punëtorë të Postes së Kosovës të cilëve po ju mohohet edhe paga mujore për të cilën punojnë dhe me të cilat mbajnë familjet e tyre.

FSP-PTK bën të ditur se protesta mbahet të martën, më 02.04.2024 prej orës 12:00 deri ne ora 13:00 si paralajmërim për kërkesat e tyre.

“Fillojmë para objekteve kryesore në Regjionet e juaj! Varësisht prej zhvillimeve protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave tona. Do të jeni në vazhdimësi të informuar për formën e protestave duke mos i përjashtuar as grevat”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version