Një plumb qorr për pak sa nuk ishte fatal për Ednis Vojvodën, 14 vjeçar nga komuna e Skenderajt. Ednisi të martën që shkoi ishte plagosur në këmbë derisa ishte duke luajtur me shokët e tij.
Plumbi që e plagosi Ednisin erdhi nga një drejtim i panjohur e që besohet se ishte nga të shtënat me armë në ndonjë aheng por që Policia ende nuk e ka zbuluar nga erdhi plumbi.
E mundësia që ai plumb të jetë shkrepur nga një armë ilegale është shumë e madhe, referuar statistikave të MPB-së sipas së cilave rreth 260 mijë armë ilegale janë në duart e qytetarëve të Kosovës.
Policia e Kosovës vetëm për këta gjashtë muajt e parë të vitit ka arritur të sekuestrojë 553 armë ilegale të cilat kanë qenë nëpër shtëpitë dhe në duart e qytetarëve të Kosovës.
Udhëheqësi i Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Destan Mustafa, tha se krahasuar me vitin 2005 kur është bërë një hulumtim tani rezulton të jetë një numër më i vogël i armëve ilegale në Kosovë.
Sipas tij, deri tek zvogëlimi i këtij numri ka ardhur pas hyrjes në fuqi të ligjit për Armë, por edhe falë aksioneve për konfiskim të këtyre armëve nga Policia.
“Armët ilegale në Kosovë gjenden rreth 260 mijë sipas një hulumtimi të realizuar në vitin 2015. Në krahasim me hulumtimin e realizuar në vitin 2005 nga UNDP tani rezultojnë të jenë një numër rreth njëqind mijë ose njëqind e dhjetë mijë armë më pak. Kjo i atribuohet kryesisht hyrjes në fuqi të ligjit për Armë, por edhe aksioneve policore që konfiskojnë rreth 1400 apo 1500 armë çdo vit. Realisht konsiderojmë që është një numër i madh në krahasim me vendet e tjera ose me vendet e rajonit”, tha ai.
Mustafa tha se tanimë ka hyrë në fuqi ligji për legalizimin dhe dorëzimin vullnetar të armëve, por mbetet në kompetencë të Ministrisë që të nxjerrin disa akte ligjore për implementimin e këtij ligji.
Mbajtja në pronësi, përdorimi apo posedimi ilegal i armëve të zjarrit është vepër e cila sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se Policia e Kosovës në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime aktive në funksion të identifikimit të armëve ilegale për arsye se këto sipas tij paraqesin një rrezik potencial edhe për qytetarët, por edhe për vetë institucionet e sigurisë.
Sipas zëdhënësit Hoxha, nga janari i këtij viti deri në qershor kanë arritur të sekuestrojnë 553 armë ilegale, e që Hoxha thotë se është një rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Referuar statistikave që ne i kemi, Policia e Kosovës gjatë operacioneve të ndryshme gjatë vitit të kaluar respektivisht vitit 2016 ka konfiskuar mbi 1290 armë të llojeve të ndryshme, ndërsa municione të kalibrave të ndryshëm kemi të konfiskuara mbi 25800 sosh”, tha ai.
Zëdhënësi Hoxha, tha se Policia e Kosovës është në proces të luftimit të dukurisë së mbajtjes së armëve ilegale në mënyrë që të ketë sa më pak armë në duar të pasigurta.
Disa nga arsyet pse qytetarët e Kosovës mbajnë armë janë pasojat e pasluftës, frika, mosbesimi tek institucionet e Kosovës dhe si një nga arsyet është potencuar të jetë edhe tradita.
Hulumtuesi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Plator Avdiu, thotë se potenciali i përdorimit të armëve ilegale nga ana e qytetarëve paraqet rrezik, po që sipas tij nuk është rrezik i nivelit të lartë sepse ka një vetëdijesim nga ana e qytetarëve nga rreziku i përdorimit të armëve ilegale.
Po ashtu ai thotë se duhet të dihet qartë se çfarë duhet të bëhet me armët ilegale, a do të ketë amnisti a do të ketë një lloj konfiskimi apo diçka ndryshe.
Avdiu thotë se ka forma të ndryshme të cilat mund të dërgojnë tek mënyra e zvogëlimit të numrit të armëve ilegale nga duart e qytetarëve. Sipas tij Qendra për Studime të Sigurisë ka disa rekomandime se si të bëhet kjo.
Ndryshe në Kosovë janë rreth 330 persona zyrtarë të cilët kanë armë me leje, ndërsa janë rreth 13 mijë leje të dhëna për armë gjahu, shenjëtarie dhe koleksionimi.
Para disa ditësh institucionet e Kosovës kanë bërë shkatërrimin e disa armëve ilegale që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës. /kp/