Site icon Telegrafi

​Rreth 22 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot Provimit të Maturës

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit më 18 qershor 2022 organizon Provimin e Maturës 2022, të cilit do t’i nënshtrohen rreth 22 mijë maturantë.

Provimi i Maturës këtë vit do të organizohet në 171 Qendra të Testimit, ndërsa të angazhuar për mbarëvajtje të procesit janë rreth 1600 administrues.

“Me qëllim që Provimi i Maturës të realizohet sipas rregullave dhe standardeve të përcaktuara, Këshilli Shtetëror i Maturës në takimin e mbajtur ka kërkuar nga të gjithë akterët e përfshirë në procesin e testimit që të jenë në nivel të përgjegjësive të përcaktuara.

KShM njofton se, Provimi i Maturës fillon në ora 10:00 dhe përfundon në ora 12:30, ndërsa administruesit duhet të arrijnë në Qendrat e Testimit më së voni në ora 9:00”, thuhet në njoftim.

KShM po ashtu bënë të ditur se, me qëllim të monitorimit të këtij testimi është krijuar një Grup Punues, ku janë përfshirë zyrtarë kompetentë, ekspertë të kibernetikës, përfaqësues nga MAShTI, drejtorë të DKA-ve dhe Këshilli Rinor i Kosovës (KYC).

Ndër të tjera, KShM thekson se, ndaj personave përgjegjës (komisionerë, administrues, nxënës etj) të cilët thyejnë rregullat për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës do të marren të gjitha masat e parapara me legjislacionin në fuqi, ndërsa të gjithë maturantëve i’u uron sukses në Provimin e Maturës.

KShM, gjithashtu kërkon nga DKA-të që të sigurohen që administruesit të arrijnë me kohë në Qendrën e Testimit, të kenë me vete Udhëzuesin me rregullat për administrimin e testit, të respektojnë rregullat e administrimit të testit sipas udhëzuesve të shpërndarë nga DVSM, të njoftojnë nxënësit për rregullat që duhet të respektojnë gjatë procesit të testimit dhe të mos lejojnë nxënësit që të hyjnë me telefon në Qendër të Testimit. /Telegrafi/

Exit mobile version