Site icon Telegrafi

Rreth 1,000 të vdekur nga coronavirusi në Spanjë – sipas shoqatave, sistemi shëndetësor në gjendje alarmante

Numri i viktimave nga coronavirusi në Spanjë ka shkuar në 1,002, sipas statistikave të fundit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, më shumë se një e treta e rasteve të konfirmuara janë në Madrid, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve në të gjithë vendin ka shkuar në 19 mijë.

Megjithëse autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se kulmi i krizës është ende larg, mjekët në vijën e frontit deklaruan se spitalet janë “bllokuar”, ndërsa betejat e tyre do të përkeqësohen nga mungesa e rëndë e mjeteve mbrojtëse – si maskat dhe dorëzat.

“Situata aktuale në spitalet në Madrid është kritike”, tha Angela Hernandez nga Shoqata e Mjekëve dhe Profesionistëve në Madrid.

“Sistemi i kujdesit shëndetësor është në gjendje alarmante”, ka shtuar ajo.

Shoqata e saj ka filluar të ofrojë terapi falas përmes telefonit dhe postës elektronike për profesionistët e kujdesit shëndetësor në rajon, në mënyrë qe ata të përballen më mirë me krizën më vonë.

Aranzasu Loa, nëna e 68-vjeçares e së cilës po mjekohet për pneumoni në një spital në periferi të Madridit, përshkroi një situatë kaotike.

“Ka pacientë me pneumoni të cilët kanë mbetur ulur në karrige në repartin e urgjencës për 48 orë, dhe janë të detyruar të flenë në këto karrige ndërsa presin për rezultatet e testeve të  Covid-19”, tha ajo.

Mirëpo lidhur me këtë rast, udhëheqësja rajonale e Madridit, Isabel Diaz Ayuso, e ka mohuar se punonjësit e kujdesit shëndetësorë janë detyruar të vendosin se cilin pacient të trajtojnë të parin në bazë të gjendjes kritike.

“Sistemi i kujdesit shëndetësor i trajton të gjithë pacientët në mënyrë të barabartë”, i tha Isabel Diaz Ayuso transmetuesit Antena 3.

“Askush nuk veçohet”, ka shtuar ajo.

Raportohet se ministria e shëndetësisë në Spanjë të premten ka premtuar përforcime për sistemin, duke njoftuar për planet për të rekrutuar grupe të tilla si studentë të mjekësisë dhe mjekë të pensionuar. /Telegrafi/

Exit mobile version