Site icon Telegrafi

Rreth 1.5 milion turq në Gjermani nisin të votojnë për zgjedhjet në Turqi

Rreth 1.5 milion qytetarë turq në Gjermani kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Turqisë, me 16 qendra votimi të miratuara nga qeveria gjermane.

Shtetasit turq që jetojnë në Gjermani kanë filluar të votojnë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Turqisë të enjten, shkruan DW, përcjell Telegrafi.

Zgjedhjet, me raundin e parë të votimit më 14 maj në Turqi, përbëjnë atë që disa vëzhgues thonë se është testi më i vështirë deri tani për presidentin Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka qenë në pushtet për 20 vjet.

Sipas sondazheve të fundit, Erdogan ka të ngjarë të jetë “kokë më kokë” me Kemal Kilicdaroglu, i cili kryeson një koalicion të rrallë opozitar të fraksioneve laike, konservatore dhe nacionaliste.

Shtetasit turq që jetojnë jashtë mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale deri më 9 maj.

Gati 2.8 milionë njerëz që jetojnë në Gjermani kanë një prejardhje turke të migrimit dhe rreth 1.5 milion prej tyre kanë nënshtetësi turke dhe janë në moshë votimi.

Dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se ka informuar qeverinë turke se 16 qendra votimi janë miratuar në Gjermani.

“Kurrë më parë nuk janë miratuar kaq shumë qendra votimi në lidhje me zgjedhjet turke. Në vitin 2018 dhe 2017, për shembull, ishin 13”, citohet të ketë thënë ministria. /Telegrafi/

Exit mobile version