Një rrëshqitje dheu gjatë një ceremonie funerali në kryeqytetin e Kamerunit ka vrarë të paktën 14 persona.
Kështu ka bërë të ditur guvernatori rajonal, ndërsa shpëtimtarët vazhduan kërkimin për dhjetëra të tjerë që mbeten të zhdukur.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fatkeqësia ndodhi të dielën teksa njerëzit u mblodhën në një fushë futbolli pranë një dheu 20 metra të lartë në Yaounde.
Dëshmitarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se “dheu u shemb” mbi dhjetëra njerëz.
“Në vendngjarje numëruam 10 trupa, por para mbërritjes sonë, katër trupa ishin marrë tashmë”, tha Paul Bea, guvernatori i rajonit të Qendrës që përfshin Yaounde.
“Ka gjithashtu një duzinë raste të rënda të shpërndara nëpër spitale”, ka bërë të ditur ai.
Guvernatori e përshkroi zonën ku ndodhi rrëshqitja e dheut si një “pikë shumë e rrezikshme” dhe i inkurajoi njerëzit të qëndronin larg rrethit Damas në periferi lindore të Yaounde.
Rrëshqitjet e dheut ndodhin relativisht shpesh në Kamerun, por rrallëherë janë aq vdekjeprurëse sa incidenti i së dielës në Yaounde.
Dyzet e tre njerëz u vranë në qytetin perëndimor të Bafoussam në vitin 2019, kur një rrëshqitje dheu e shkaktuar nga shirat e dendur rrëmbeu një duzinë banesash të pasigurta të ndërtuara në anën e një kodre. /Telegrafi/