Site icon Telegrafi

Rrëshqitja e dheut rrezikon disa shtëpi të fshatit Leskovec të Prizrenit

Katër shtëpi të fshatit Leskovec, të komunës së Prizrenit, janë të rrezikuar nga rrëshqitja e dheut.

Banorët e këtyre shtëpive thonë se kjo gjendje është krijuar pas fillimit të punimeve në rrugën Prizren-Tetovë.

Sipas banorit të njërës nga këto katër shtëpi, rrezikshmëria është rritur çdo ditë e më shumë pasi edhe rruga e asfaltuar nuk është më.

“Kompania e cila është duke vijuar punimet në rrugën Prizren- Tetovë, ka bërë disa gjana që na ka sjellë deri në këtë gjendje. Punimet po vazhdojnë, premtime na kanë dhënë qysh para dy muaj e gjysmë, se do të sanohen gjërat, por janë duke shkuar në gjendje më të rrezikshme”, tha për RTK-në, Hajredin Berisha, pronar i njërës prej shtëpive.

Pas kaq muajsh, banorët kërkojnë ndalimin e punës, deri në rehabilitimin e shtëpive.

“Kemi tentuar t’i ndalim edhe punimet e kompanisë, jo t’i ndalim që të mos vazhdon rruga, por t’i ndalim që të sanohen dhe të rehabilitohen familjet. Toka është e jona, është afër dy hektarë e kemi babë e babgjysh”, vijoi tutje Berisha.

Për këtë rast është njoftuar policia rajonale, ndërsa drejtori i Inspektoratit, Islam Ukimeri, bën të ditur se, disa herë ekipet kanë dalë në terren, ndërsa po e monitorojnë situatën.

“Dje që e kemi marrë informatën nga policia, kemi dalë në vendngjarje e kemi konstatuar gjendjen dhe rrezikun që është shkaktuar atje, e kemi njoftuar Drejtorinë e Emergjencave, tani kur jemi duke folur inspektorët janë në terren dhe janë duke rrethuar objektet e rrezikuara”, tha Ukimeri.

E kontaktuar nga RTK, drejtoresha për Emergjenca dhe Shpëtim, Ramize Sinani-Shala, tha se në terren kanë dalë ekipet e gjeodezisë, që do të verifikojnë shkaqet e rrëshqitjes së dheut, e më pas do të merren masa.

Nga Ministria e Infrastrukturës nuk janë përgjigjur lidhur me këtë çështje.

Exit mobile version