Numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut në ishullin italian të Ischia tani është rritur në shtatë.
Një valë balte dhe mbeturinash të shkaktuara nga shiu i dendur shkatërroi qytetin e vogël të Casamicciola Terme në veri të ishullit – që ndodhet në brigjet e Napolit – herët në mëngjesin e së shtunës.
Dhe të dielën në mbrëmje, kur qeveria italiane shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Ischia, raportohej për pesë persona ende të zhdukur.
Operacionet e kërkimit janë komplikuar nga reshjet e vazhdueshme dhe erërat e forta, të cilat kanë vonuar edhe mbërritjen e përforcimeve me traget.
Më shumë se 200 punonjës të urgjencës iu bashkuan kërkimit për të zhdukurit, ndërsa qindra vullnetarë, pastruan rrugët e qytetit të vogël.
Mbetjet e makinave dhe autobusëve të shtypur nga rrëshqitja e dhunshme e dheut dhe shkëmbinjtë mund të shihen kudo ndërsa ekskavatorët përpiqen të pastrojnë hyrjet në shtëpi dhe dyqane.
Ndërkohë një paketë e parë emergjente prej 2 milionë eurosh është vendosur të dedikohet për të prekurit në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të dielën. /Telegrafi/