Site icon Telegrafi

Rrepkat – fijet e kuqe të shëndetit

Kur ta zbuloni se sa të përsosura janë në sallata dhe si meze, nuk do të mund të ngopeni. Rrepkat e kuqe nuk janë të preferuara vetëm si ushqim, por vlerësohen edhe si një ilaç i fuqishëm, që nga Perandoria Romake. Ato kultivohen kryesisht në Evropë dhe Kinë, ndërsa i përkasin të njëjtit lloj si brokoli, lakra, lakra e gjelbër…

Ajo rritet shpejt, kultivohet lehtë. Kur e mbillni, farat mbijnë pas vetëm 3 ditëve. Është për keqardhje se pse janë aq të injoruara si perime, sepse me të vërtetë nuk e meritojnë këtë.

Ato kanë pak kalori dhe janë plot me fibra, vitaminë C, folate, kalium, magnez, kalcium, hekur, grupin e vitaminave B. Nuk do të gaboni në qoftë se ua shtoni sallatave me perime të freskëta, djathë, mish pule të fërguar dhe pak vaj ulliri. Tashmë tingëllon e shijshme, apo jo? Përveç kësaj, kjo sallatë do ta forcojë dhe pastrojë organizmin.

Vetitë e dobishme

Në shumë hulumtime është vërtetuar se rrepkat përmbajnë komponentë (izotiocianate dhe antocianine), që njihen si luftëtarë të shkëlqyeshëm kundër kancerit. Përmbajtja e fibrave të rrepkës e bën atë shumë efektive në parandalimin dhe luftimin e kancerit kolorektal.

Rrepka u rekomandohet të gjithë atyre që vuajnë nga bronkiti kronik, infeksionet e sinuseve apo astma. Rrepkat mund të veprojnë si një ilaç kundër kongjestionit, zënies së hundës dhe rrugëve të frymëmarrjes.

Rrepka është në mesin e perimeve më të mira për ata me probleme kardiovaskulare, ul kolesterolin, rregullon diabetin, tensionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit në gjak.

Pastrimi i organizmit

Me ngrënien e rrepkës e stimuloni punën e mëlçisë dhe fshikëzës dhe e pastroni gjakun. Fibrat nga rrepka e rregullojnë zbrazjen e zorrëve, prandaj kështu në mënyrë më efektive i largoni toksinat dhe e pengoni shfaqjen e kapsllëkut.

Përveç se i pastron veshkat, kjo perime (sidomos lëngu i rrepkës) është shumë efektive në parandalimin e infeksioneve të traktit urinar. Lëngu i rrepkës (mundësisht i përzier me perime apo fruta të tjera, si karrota dhe molla) mund t’i lehtësojë simptomat, si dhe ndjenjën e djegësimit gjatë infeksioneve të traktit urinar, dhe ndihmon në shërimin më të shpejtë nga infeksioni.

E gjithë kjo që thuhet për rrepkat gjithsesi tregon edhe se ky është një ushqim i shkëlqyeshëm dhe meze për ata që duan të dobësohen.

Për lëkurë dhe bukuri

Rrepkat veprojnë jashtëzakonisht mirë në lëkurë. Me ndihmën e tyre, ju mund t’i largoni aknet (madje ato edhe më këmbëngulëset dhe problematiket) duke e pirë lëngun e rrepkës dhe duke vendosur maska nga rrepka.

Kjo perime vepron në mënyrë antiinflamatore, përmban vitaminë C dhe antioksidantë. Jo vetëm që mund t’i zbutë pickimet e insekteve, por edhe mund ta zgjidhni problemin tuaj me puçrra dhe akne. Ja se si.

Është e nevojshme t’i sulmoni nga jashtë dhe brenda. Çdo ditë bëni preparate për pastrimin e fytyrës – për heqjen e yndyrave dhe papastërtive. Nga rrepkat bëni një pastë në blender, përzieni me pak ujë dhe aplikoni në fytyrën tuaj, duke fërkuar butë me majë të gishtave. Shpëlahuni, largoni ujin e tepërt me peshqir dhe prisni 5 minuta që lëkura të thahet plotësisht.

Tani vjen “sulmi” me maskë. Bëni përsëri një pastë nga rrepka, këtë herë me shumë më pak ujë, aplikojeni atë në fytyrë dhe lëreni të veprojë për 20 minuta. Shpëlajeni dhe thajeni me peshqir. Me këto trajtime çdo ditë pini lëng të rrepkës, karotave dhe mollës.

Me lëng të rrepkës mund të luftoni edhe kundër zbokthit. Hani rrepka më shpesh dhe fërkojeni lëngun në majë të kokës, mbështillni me peshqir, dhe pastroni tërësisht pas një ore.

Blerja dhe ruajtja

Gjithmonë kërkoni rrepka të madhësisë së mesme (sepse e kanë shijen më të mirë). Rrënja duhet të jetë krejtësisht e fortë, në qoftë se është tharë apo nëse është më e butë do të thotë se afati ka kaluar. Gjethet duhet ta kenë një ngjyrë të gjelbër të çelët, ndërsa lëkura e kuqe e paplasaritur.

Që rrepkat të qëndrojnë të freskëta deri në shtatë ditë, ndani ato nga perimet e tjera. Largoni papastërtitë dhe shpëlani me ujë të ftohtë. Kur të thahen, palosni ato në një qese të cilën e keni mbuluar me peceta letre. Midis radhëve të rrepkës vendosni peceta. Largojeni ajrin e tepërt nga qesja dhe mbylleni atë mirë. /Telegrafi/

Exit mobile version