Site icon Telegrafi

Rrënohet kati pa leje i një objekti në qendër të Prishtinës

Një mbindërtim pa leje është rrënuar sot në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë.

Për mbindërtimin pa leje në objektin që gjendet pranë Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare, drejtori i Inspeksionit në komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri tha se e kanë paralajmëruar disa herë pronarin, por ai nuk e kishte përfillur vendimin.

“Ky rrënim do të ekzekutohet dhe pjesa më e madhe e këtij objekti është i ndërtuar me leje, por javëve të fundit ka filluar që ta ndërtojë edhe një kat pa leje. Pavarësisht që inspeksioni ka qenë disa herë, ka vendosë shirita pala nuk i ka përfill ato dhe ka vazhduar prapë më ndërtim”, tha Tahiri para gazetarëve.

Ai tha se i kishin dhënë afat prej 15 ditësh pronarit që ta rrënonte vet pjesën pa leje të ndërtimit, por në rast se do të vazhdonte punën, inspeksioni do të ndërhynte.

‘Pasi pronari ka vazhduar ndërtimin, sot inspeksioni ka marrë vendim që kjo punë të ndërpritet dhe të rrënohet pjesa pa leje… Pala këtë javë ka vendosur edhe pllakën dhe kësisoj ne jemi mobilizuar me komunën dhe policinë që sot ta heqim pllakën dhe muret anësore të katit të ndërtuara pa leje”, u shpreh Tahiri. /Telegrafi/

 

Exit mobile version