Ilir Bajri në piano, Visar Kuqi në kitarë dhe bas, Dukagjin Muhaxheri në saksofon, Nesim Maxhuni në bateri, zënë vendet e tyre në skenë dhe për një orë e 45 minuta, nuk lëvizin vendi. Ata luajnë për publikun që ka mbushur sallën e teatrit ODA. Koncerti i tyre, të shtunën mbrëma, shënoi hapjen e edicionit të 10-të të festivalit “Prishtina Jazzz Festival”.
Performanca nisi me këngën “1994”, të cilën Bajri e ka kompozuar para 20 vitesh. E përzier me elemente të xhazit dhe melosit, kënga zgjat rreth 15 minuta. Fill pas saj, “Recognition”, e kompozuar nga Kuçi vjen si një thirrje për njohjen e punës së artistit e që njerëzit ta ndiejnë dhe vlerësojnë punën e tyre.
Në shenjë miratimi që ka pranuar thirrjen, publiku, kah mesi i këngës, duartroket fuqishëm. Edhe fundi i këngës përcillet njëjtë, kështu për t’ia lënë radhën këngës së tretë. Një tjetër kompozim i Bajrit. E titulluar “Torbesh Song”, kjo këngë bart motive të torbeshëve që jetojnë në rrethinën e Prizrenit.
“Kënga e radhës quhet ‘Tenk Funk’, por nuk është funk për të kërcyer”, rrëfen Kuçi me shaka, tek prezanton këngën e radhës, të cilën e ka kompozuar vetë.
Krejt në fund, në skenën e mbushur me instrumente e cila ndriçohet nga projektorët e zbehtë të vendosur sipër, u ngjit edhe Armend Xhaferi. Bashkë me bendin, interpretoi këngën “Sindrom”, që e ka kompozuar Maxhuni.
Sipër tyre në ekranin e madh shfaqet posteri i sivjetmë i këtij festivali, që si figurë kryesore ka një dele që mbanë të veshur gëzofin e ujkut me moton “improvisekosova”. Çdo performancë e tyre u shoqërua me duartrokitje. E herë edhe me thirrje “bravo” nga publiku.
Të pesë këngët që u interpretuan në mbrëmjen e parë të “Prishtina Jazzz…”, janë pjesë e një programi që bendi e ka titulluar “Roots” (Rrënjët). Kjo ishte hera e dytë që bendi performoi këto këngë, por për herë të parë para publikut kosovar. Për herë të parë ata performuan gjatë muajit shtator në Berat, gjatë festivalit “Jazzz and Wine Festival”.
Ky program, sipas anëtarëve të bendit do të finalizohet me një album.
Ilir Bajri, i cili njëherësh është drejtor i “Prishtina Jazzz Festival”, ka thënë se ideja që këtë projekt ta finalizojnë me një album ka lindur pikërisht gjatë vizitës së tyre në Berat.
“Mendojmë që në fund të vitit do të fillojmë me incizimet dhe më pas do ta lëshojmë në internet, pa pagesë. Do ta bëjmë albumin, por jo në CD. ‘Roots’ më shumë është titull pune, por mund të mbetet edhe i tillë”, ka thënë Bajri. Kënga e parë e tij këtë formë e kishte marrë në vitin 1994, por versionin përfundimtar ai e ka realizuar gjatë muajit shtator.
“Në fakt unë kisha harruar që e kam këtë këngë deri para pak kohësh kur Armendi ma përkujtoi. Më pas kam filluar ta përpunoj dhe më është dukur i përshtatshëm për këtë projekt, sepse ka një melos përbrenda”, ka thënë Bajri, tek ka shtuar se gjithmonë i ka pëlqyer të eksplorojë muzikën folklorike. Por mënyra se si e ndërthur atë në muzikën xhaz është krejt ndryshe.
“Nuk më intereson ta përdor si zbukurim, po më shumë si burim. Ta marr eksperiencën dhe kulturën e popullit, duke e shprehur me një stil muzikor, i cili mua më pëlqen dhe të cilin mundohem ta kultivoj. Edhe Nesimi me Visarin kanë disa eksperimente të tilla në projektet e tyre”, ka shtuar ai.
Një përzierje e disa rrymave të xhazit, si formë eksperimenti vjen tek “Sindromi” i Maxhunit.
“Këngën e fundit e patëm incizuar me një ekip tjetër para dy vitesh, me një version pak më ndryshe dhe është një lloj kombinimi i shumë rrymave të jazzit, përbrenda një kënge të vetme”, ka thënë Kuçi, tek ka folur më shumë për këngët e tij.
Për dallim nga “Tank Funk”, i cili sipas tij është kompozim i momentit, për “Recognition” i është dashur më shumë kohë.
“’Recognition’ e kam kompozuar para shumë kohësh. Por me kohë e kam kuptuar atë që kam dashur të them. Është një pritje që ne artistët e kemi për njerëzit që e dëgjojnë, që ta ndiejnë atë që ne duam të themi dhe ta vlerësojnë”, ka shtuar ai.
Për anëtarët e bendit hapja e festivalit ka qenë një përgjegjësi.
Kuçi e pranon se organizimi dhe përgatitja nuk kanë qenë punë e lehtë.
“Ka qenë e vështirë ta organizojmë këtë koncert, sepse pas 10 vitesh të këtij festivali Prishtina e ka fituar një kulturë për xhazin dhe pritjet janë shumë të larta. E ta hapësh festivalin me një grup vendor ka qenë një punë e vështirë, por ia dolëm ta bëjmë më të mirën që mundëm”, ka thënë ai.
Për Maxhunin, eksperienca e së shtunës mbrëma ka qenë më ndryshe nga ato që ka përjetuar deri më tani.
“Jemi mësuar të luajmë këngë standarde xhaz, që nuk do të thotë se nuk është kënaqësi t’i luash edhe ato, por është kënaqësi kur luan muzikën që e kompozon vetë”, ka thënë Maxhuni.
Bendi “jazzzaiR’t” gjatë muajit nëntor, me po të njëjtin program do të prezantohet në një festival në Sllovaki. /Koha/