Site icon Telegrafi

Rrëmbehet një autobus pasagjerësh, të paktën një i vdekur në Los Angeles

Një person ka vdekur pasi një person i armatosur mori peng një autobus të qytetit amerikan të Los Angelesit, duke shkaktuar një ndjekje policore nëpër qytet për më shumë se një orë përpara se të arrestohej i dyshuari.

Një person i plagosur u gjet në autobus në orët e para të së mërkurës, i cili më pas vdiq në një spital lokal, tha zëvendës shefi i Departamentit të Policisë së Los Angelesit, Donald Graham.

Shoferi i autobusit dhe një pasagjer u shpëtuan pasi policia e ndali autobusin duke shfrytëzuar shiritat që shpojnë goma, përpara se të intervenonte ekipi i SWAT-it.

Ky është një nga shembujt e fundit të amerikanëve të zakonshëm që po terrorizohen nga dhuna me armë në vende që dikur besonin se ishin të sigurta, nga shkollat deri te supermarketet dhe transporti publik.

Disa orë pas arrestimit, motivi i të dyshuarit mbetet i paqartë, tha një burim nga autoritetet ligjore për CNN.

Personi i akuzuar për përdorimin e armës është ende në intervistë me detektivët e vrasjeve, tha burimi.

Ky incident ndodh ndërsa zyrtarët e transportit në qytet po përdorin fonde emergjente për të përmirësuar sigurinë në autobusët e metrosë, ku ata thonë se një model shqetësues i dhunës po i preokupon operatorët e autobusëve. /Telegrafi/

Exit mobile version