Në fakt, sa fitohet bindja se diçka është rregulluar, nuk shkon as java e dalin telashet tjera, të cilat gjithnjë e më shumë po e rëndojnë futbollin kosovar. Edhe komisionet sikur janë në telashe, pasi çdo vendim i tyre interpretohet ndryshe. Luan Prekazi dikur ishte kryetar i Komisionit të Garave, kurse tani më shumë si shikues, nuk është i kënaqur me atë çka po sheh në fusha e tribuna.
“Ngjarjet zakonisht po ndodhin në vendet më pak të zhvilluara. Njerëzit sikur nuk kanë se ku të shfryhen dhe këtë po e bëjnë në stadiume, aty po e kanë më lehtë të shfaqin pakënaqësinë që nuk ka të bëjë me futboll. Kuptohet se ngjarjet e tilla po ia prishin në masë të madhe imazhin futbollit tonë, por çka të bëjmë, pasi aty janë futur individë të papërgjegjshëm, huliganë, ndërkohë që policia është e paktë në stadiume”, thotë Luan Prekazi.
“Sa u përket dënimeve, kudo ka të tilla, po dënohen edhe klube të mëdha e trajnerë të njohur e nuk po bëhet nami. Por është e qartë se këtu ka edhe tolerime. Nëse vendimet janë marrë në bazë të rregullores disiplinore, atëherë OK. Mirëpo, edhe vetë rregullorja mundëson të ketë tolerime rreth një vendimi, pasi është mundësia e dënimit maksimal dhe minimal. Rregulloret mund të ndryshohen, por kush t’i bëjë ato ndryshime, a mund të presim që këto t’i bëjnë analfabetët që janë në Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës”, shprehet ish-futbollisti, e trajneri i njohur Luan Prekazi.
Edhe Haki Demolli, dikur ishte në mesin e drejtuesve të futbollit kosovar, por që sot më rrallë e shohim në ngjarjet sportive. Ai nuk e ka të qartë se gjërat në futbollin kosovar nuk po përmirësohen, as pas shumë viteve. “Fatkeqësisht futbolli i Kosovës 14 vite pas luftës nuk ka ndryshim të madh nga ai i paraluftës. Cilësia dhe çdo gjë tjetër pothuajse është e ngjashme si në kohën kur kemi luajtur nëpër livadhe e fusha të improvizuara, dhe tani kur po luajmë në fusha e stadiume tona.
Më befasojnë edhe disa media tona, të cilët më parë kanë qenë shumë kritike veçmas ndaj FFK-së, por që tani nuk dëgjohen fare. Sa u përket incidenteve, kjo që po ndodh është shumë dëshpëruese dhe është e qartë se vetëdija te futbollistët, trajnerët, drejtuesit e klubeve dhe shikuesve është në nivel të ulët. Kjo dëshmon se jemi larg Evropës. Edhe në Evropë ndodhin gjëra të tilla, por jo aq shpesh sa te ne. Kur është në pyetje Komisioni, unë e them se më parë komisionet kanë qenë të pavarura, e çfarë po ndodh tani, nuk mund të them, pasi nuk jam i kyçur dhe nuk më takon të flas”, tha Haki Demolli, ish-nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. /Zëri/Telegrafi/