Site icon Telegrafi

Rregulloni këtë problem sa më shpejt që të jetë e mundur – shenjat që tregojnë se keni varësi ndaj sheqerit

Këto janë disa prej shenjave të cilat ju tregojnë se mund të keni varësi serioze ndaj sheqerit – dhe është diçka që duhet ta adresoni menjëherë tek vetja e juaj.

Sheqeri në të gjitha format nuk është i keq vetëm për peshën tuaj, por hulumtimet tregojnë se rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit të tipit 2 – madje mund të rrisë rrezikun edhe për disa lloje të kancerit, shkruan Taste of Home.

Varësia ndaj sheqerit nuk është shaka – truri mund të riorganizohet për të kërkuar sheqer dhe ju mund të përfundoni me simptoma të tërheqjes kur nuk ngopeni me gjërat e ëmbla.

“Varësia ndaj sheqerit është një fenomen i matshëm, fiziologjik nga i cili vuajnë shumë njerëz”, thotë Ken Berry, autor i librit “Lies My Doctor Told Me”. “Varësia ndaj sheqerit e bën shumë të vështirë për shumë njerëz që të bëjnë përmirësimet dietike të nevojshme për të përmirësuar shëndetin e tyre”.

Por, cilat janë shenjat që tregojnë se mund të keni varësi ndaj sheqerit; këtu janë disa prej tyre.

Ju e fshihni zakonin tuaj të sheqerit

Disa njerëz me varësi ndaj sheqerit mund të kuptojnë se po hanë shumë ëmbël, por në vend që të gjejnë mënyra për të reduktuar këtë, ata e fshehin. “

“Të bësh justifikime ose të bësh marrëveshje me veten në lidhje me ëmbëlsirat është një shenjë e qartë e varësisë ndaj sheqerit”, thotë Dr. Berry. “Askush nuk e fsheh brokolin në dollapin e tij; nëse fshihni ëmbëlsirat, ose fshiheni për t’i ngrënë ato, mund të keni varësi ndaj sheqerit”.

Keni nevojë çdo herë e më shumë për të kënaqur dëshirën për të ngrënë

Ashtu si me shumë sjellje të varura, toleranca juaj ndaj ëmbëlsirave mund të rritet me kalimin e kohës. “Një shenjë e varësisë ndaj sheqerit është nevoja për më shumë për të kënaqur dëshirën”, thotë Erin Akey një nutricioniste dhe kuzhiniere.

“Në fillim, mjafton një lugë akullore, por ndërsa bëhesh më i varur, ke nevojë gjithnjë për më shumë”.

Hani sheqer edhe kur nuk jeni i uritur

Jeni të ngopur pas një vakti të mirë, por ende ‘lakmoni’ për një copë tortë? Shenja numër një që keni varëse është kur i drejtoheni sheqerit edhe kur nuk jeni të uritur, thotë Lisa Rachel Snyder, trajnere intuitive e të ushqyerit dhe themeluese e “Beautiful Badass Method”.

Ju gjithmonë dëshironi ëmbëlsirat

Pas marrjes së tepërt të sheqerit, nivelet e sheqerit në gjak do të ulen pasi insulina e shtyn gjithë atë sheqer në qeliza për të parandaluar dëmtimin e sheqerit. Kjo rënie shkakton sheqer të ulët në gjak dhe më shumë dëshira.

Ju ndiheni në faj për të ngrënë sheqer

Ndjenja e fajit për të ngrënë ndonjë ushqim mund të jetë një shenjë e një çrregullimi të të ngrënit. Nëse jeni të turpëruar për zakonin tuaj të sheqerit, do t’ju duhej të flisni me mjekun ose terapistin tuaj për këtë.

Ju po përpiqeni të hiqni dorë dhe keni simptoma të pazakonta

Varësia ndaj sheqerit mund të jetë një varësi e sjelljes, kështu që për shembull ju mësoheni të konsumoni sheqer pas një vakti ose në një kohë të caktuar të ditës, dhe gjithashtu mund të jetë një varësi kimike. Kur hiqni dorë ose prishni orarin tuaj normal, trupi juaj mund të shfaqë simptoma të caktuara.

Disa nga simptomat më të zakonshme të varësisë ndaj sheqerit mund të përfshijnë dhimbje koke, letargji ose ndjenjë të lodhjes, dëshira për të ngrënë, dhimbje muskujsh, të përziera dhe fryrje, madje edhe pagjumësi. Në shumicën e rasteve, këto simptoma intensifikohen pas 24 orësh. Mënyra më e mirë për të hequr dorë nga sheqeri është ngadalë, duke e reduktuar pak nga pak. /Telegrafi/

Exit mobile version