Site icon Telegrafi

Rregullatori i privatësisë në Itali “i vihet pas” DeepSeek-ut kinez

Autoriteti i mbrojtjes së të dhënave të Italisë po i kërkon startup-it kinez të Inteligjencës Artificiale DeepSeek përgjigje formale se si i trajton të dhënat e italianëve kur ata përdorin aplikacionin e tij të AI.

Autoriteti i njohur si Garante tha të martën se i dërgoi kërkesa DeepSeek për të zbuluar se cilat të dhëna personale mbledh, nga vijnë, si përdoren, çfarë baze ligjore ka për t’i përpunuar ato të dhëna – dhe nëse të dhënat ruhen në serverë në Kinë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Firma kineze e Inteligjencës Artificiale u shfaq si një konkurrente e ashpër e liderëve të industrisë si OpenAI këtë fundjavë, kur lansoi një model konkurrues për ChatGPT, Gemini të Google dhe chatbot të tjerë kryesorë të AI.

DeepSeek pretendoi se mjeti i tij u krijua “me një pjesë të kostos së të tjerëve”.

Publikimi ka shkaktuar një panik të industrisë në SHBA, pasi aksionet kryesore në sektorin e teknologjisë ranë ndjeshëm të hënën.

Por kritikët kanë vënë në dukje shqetësimet e sigurisë kombëtare që lidhen me një aplikacion kaq të njohur kinez.

Kështu, në Evropë, janë ngritur shqetësime se si aplikacioni ruan të dhëna të ndjeshme dhe personale në Kinë.

Rregullatori italian është autoriteti i parë evropian që raporton se “po ndjek” aplikacionin.

DeepSeek ka 20 ditë për t’iu përgjigjur pyetjeve, gjë që e vendos afatin më 17 shkurt.

Grupet e konsumatorëve Euroconsumers dhe Altroconsumo e Italisë thanë se më parë i kishin thënë autoritetit se besonin se trajtimi i të dhënave të DeepSeek shkelte rregullat e BE-së.

Rregullatorët italianë të privatësisë së të dhënave nuk janë të panjohur në raport me kompanitë e AI.

Ata ndalaun shkurtimisht ChatGPT mbi shkeljet e pretenduara të privatësisë kur aplikacioni tërhoqi vëmendjen globale në vitin 2023.

Në dhjetor ata gjobitën kompaninë e saj mëmë OpenAI me 15 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version