Vjollca Nivokazi, e lindur në Gjermani dhe me pasion të madh për udhëtimet, ka vizituar plot 85 shtete nga të gjitha kontinentet.
Megjithatë, prej tre vitesh, ajo ka zgjedhur të jetojë në Kosovë, ku merret me zhvillimin e talenteve të reja në muzikë.
Nivokazi ka ndarë përvojat e saj nga udhëtimet, përfshirë disa prej vendeve më të rrezikshme ku ka qenë, si Haiti dhe Afganistani.
Sipas saj, Haiti është sot vendi më i rrezikshëm në botë për shkak të situatës së pasigurisë dhe pranisë së bandave të dhunshme.
Ajo rrëfen një episod nga Afganistani, ku, gjatë një vizite në Kabul, një incident me vjedhjen e telefonit dhe një sulm të afërt me bombë e vendosën në situata të rrezikshme.
“Kur shkova në Afganistan prindërve nuk iu kam tregu. Vetëm motrës i kam tregu që jam në Afganistan duke shku. Edhe ndodhi aty një fatkeqësi e vogël ma morën, ma vodhën telefonin. E nuk kisha qysh me informu atëherë motrën se jam në jetë, nuk më ka ndodhë kurrgjë. M’u kujtu që mundem me hi në Instagram, thashë lajmëro këdo që mundesh që unë jam në jetë dhe se nuk më ka ndodhë diçka”, rrëfen Nivokazi në TV Dukagjini.
“Në Afganistan i kam pas dy raste që jam kanë sadopak isha e rrezikume. Unë i du fëmijët shumë dhe i fotografoj. E kuptova që një motor o ka sillet si shumë afër meje, po aq fokusin te fotografia nuk e vërejta që po më tërheqë dikush. Vivi, më thanë shokët, “të lutem, leja aparatin, ec mes neve, mos u largo prej neve””, tregon tutje ajo, përcjell Telegrafi.
Pavarësisht sfidave dhe momenteve të vështira që ka hasur, Vjollca vazhdon të ndjekë pasionin e saj për të eksploruar botën dhe për të kapur momente unike përmes aparatit të saj fotografik.
Ajo gjithmonë e ka parë udhëtimin si një mundësi për të kuptuar më shumë rreth kulturave dhe vendeve të ndryshme, dhe nuk e ndal asnjë rrezik në rrugëtimin e saj të aventurës./Telegrafi/