Nurshadrina Kairadahi nga Indonezia ishte vetëm 17-vjeçe kur e bindi gjithë familjen që të shkojnë në Siri dhe t’i bashkëngjiten Shtetit Islam, transmeton AP.
Të gjitha informacionet për Shtetit Islam i kishte gjetur në internet dhe militantët i kishin premtuar “çdo gjë të nevojshme për jetë”, përfshirë edhe shlyerjen e borxheve të familjes, përkujdesje falas shëndetësore për vajza dhe edukim.
Ata i kishin ftuar që të jetojnë në shoqërinë e “përkryer myslimane, ashtu siç duhet të jetë”.
Shumica e anëtarëve të familjes realizoi planin dhe përmes Turqisë arritën në Raqqa, por shumë shpejt pas kësaj kuptuan se kishin gabuar.
Gratë e lira dhe vajzat ishin të detyruara që të martohen me terroristë, ndërsa të gjithë meshkujt duhej t’iu bashkëngjiteshin luftëtarëve.
Kairadahi për dy vjet përjetoi vdekjen e gjyshes dhe xhaxhait, ndërsa familja u nda derisa tentoi të ikte. Ajo arriti që së bashku me nënën e saj, dy motrat dhe fëmijët e tyre të arrijnë deri te kampi i refugjatëve, të cilin e kishin hapur kurdët. Babai i saj dhe katër vëllezërit ishin burgosur për shkak të lidhjes me Shtetin Islam.
Kairadahi tregon se meshkujt në Raqqa ishin të detyruar të ndjekin kursin për luftë për Shtetin Islam dhe nëse refuzonin t’i bashkoheshin ushtrisë, ata përfundonin në burg.
“Kjo është çmenduri. Shteti Islam dëshiron tri gjëra: gratë, paratë dhe fuqinë. Sillen sikur perëndi dhe krijojnë ligjet e veta. Janë shumë larg asaj që përfaqëson Islami. Isha shumë naive dhe budallaqe. Fajësoj veten për të gjitha. Kjo rrugë nuk është shkuarje në pushim. Kjo është rrugë shumë e rrezikshme”, ka thënë ajo.