Site icon Telegrafi

Rrëfimi i trevjeçarit që humbi në mal për dy ditë, kur e gjetën u tha se e ka mbrojtur ariu (Foto/Video)

Casey Hathaway, trevjeçar, i cili ka mbijetuar dy netët në një mal në temperatura me minus, ka deklaruar se në mal e ka ruajtur ariu.

Ekipet e shpëtimit e kanë gjetur vogëlushin në shkurre në periferi të Craven në Karolinën e Veriut, në afërsi të vendit ku ishte zhdukur derisa po luante me dy fëmijë tjerë, transmeton Telegrafi.

Atë e kishin kërkuar qindra persona që kishin përdorur edhe dronë e helikopterë, por pa ndonjë sukses. Të gjithë frikësoheshin nga më e keqja për faktin se jashtë mbretëronin temperatura shumë të ulëta, binte shi dhe frynin erëra të forta, ku me ç’rast edhe ishte ndërprerë operacioni i kërkim-shpëtimit.

Për fat të mirë, dy ditë më vonë Casey e ka gjetur policia pasi një grua kishte raportuar se derisa po shëtiste qenin ka dëgjuar në mal një fëmijë duke qarë dhe e thërriste të ëmën.

Sherifi i Craven, Chip Hugh, ka deklaruar se vogëlushin kur e kanë gjetur ka qenë i lagur, i ftohur dhe i përlyer nga shkurret. Ai u kishte thënë ekipeve të shpëtimit se dëshiron pak ujë dhe nënën e tij.

“Nuk ka folur shumë derisa nuk u shfaq motra e tij, e cila e gëzoi shumë. Ka qenë një moment shumë prekës. Nuk tregoi se si kishte mbijetuar, por ka pranuar se ka qenë më mikun e tij – ariun”, ka shtuar sherifi gjatë një konference për media.

Gjithashtu ka thënë se deri më tani nuk ka indikacione se kanë të bëjnë me një rrëmbim.

Fjalët e vogëlushit i ka përsëritur edhe tezja e tij, Briana Hathaway e cila në Facebook ka shkruar: “Casey është shëndoshë, po buzëqesh dhe po flet pa ndonjë problem. Ka thënë se është shoqëruar me një ari për plot dy ditë. Zoti i ka dërguar një mik për ta mbrojtur. Mrekullitë ndodhin”, ka shtuar ajo.

Karolina e Veriut njihet për numrin e madh të arinjve të zi, që nuk janë agresiv me njerëzit, edhe pse nuk dihet nëse ai është shoqëruar me Casey e vogël apo është thjesht imagjinatë e tij.

“Ky vogëlush për dy ditë ka qenë i humbur në mal ku temperaturat ishin nën zero, shi, me erëra”, ka shkruar gjyshja e vogëlushit në paralajmërimin se po kërkohet një djalë i vogël. /Telegrafi/

Exit mobile version