Avdyl Sylejmani 31-vjeçar nga Skenderaj që nga viti 2010 po vuan dënimin me burg prej më shumë se tetë viteve në Qendrën e Korrektuese në Dubravë, për një tentim vrasje që i njëjti e kishte bërë në vitin 2010.
Sylejmani rrëfen për emisionin “Radar” të RTV Dukagjini se veprimi i tij atë kohë ka qenë i momentit dhe për këtë shpreh keqardhje.
Mirëpo, Sylejmani duket se e ka shfrytëzuar në maksimum vuajtjen e dënimit me burg. Ai tash një kohë punon si kuzhinier në burg dhe merr pagë për punën që bën.
“Jam kuzhinier këtu me profesion. Vij në orën 13 përgatiti gjellët. Pas orës 13 shkoj në pavijon dhe merrem me aktivitete të tjera”, thotë ai, transmeton Telegrafi.
Sylejmani tregon se për punën e kuzhinierit që bën paguhet 20 euro në muaj.
Ai tregon se në Qendrën Korrektuese në Dubravë i vijnë familjarët në vizita dhe se ka të drejtë të shfrytëzoj shtatë ditë në vit për vizitë në familje.
Jeton Metaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Burgut të Dubravës, tregon se si një i burgosur mund të punësohet dhe të paguhet.
“këtu kemi tri punëtori ku mund të punohet në tetë profesione të ndryshme”, thotë Metaj.
Të burgosurit pas vuajtjes së dënimit, marrin certifikatë si dëshmi për kualifikimin që kanë arritur dhe ajo ju ndihmon që të gjejnë punë. /Telegrafi/