Site icon Telegrafi

Rrëfimi i Shyqri Nimanit, profesorit që shkroi Deklaratën e Pavarësisë (Video)

Për 17 shkurtin e vitit 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është folur e thënë shumëçka në këto 10 vjet të shtetësisë.

Është folur shumë edhe për proceset që sollën në shpalljen e pavarësisë dhe momentet e leximit të Deklaratës së Pavarësisë.

10 vjet më vonë, për RTV Dukagjini flet Shyqri Nimani, profesori i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, kaligrafisti i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Ai është shkruesi i 6, 991 karaktereve që kanë formuar 1254 fjalët e Deklaratës së Pavarësisë Kosovës, që i kaligrafoi në pergamenë (lëkurë e viçit).

Ai tregon se ishte kontaktuar nga Qeveria e Kosovës, për të shkruar Deklaratën e Pavarësisë.

“Më kishin kontaktuar nga Qeveria dhe ju thashë se më duheshin 7 ditë për ta kaligrafuar bukur deklaratën e Pavarësisë, për arsye se ishin dy pergamena të sjellura dhuratë nga Londra…  Duhet të jemi të lumtur që kjo deklaratë është shkruar në pergamenë që është rezistente edhe ndaj lagështisë”, tregon ai, prcjell Telegrafi.

Thotë se marrëveshja fillestare ishte që Deklarata e Pavarësisë të shkruhej vetëm në një faqe, por në natën e 16 shkurtit mëson se ishin tri të tilla të formatit A/4.

“Unë isha përgatit që ta shkruaja vetëm në një faqe për dy javë. Ndërsa kisha vetëm  16 orë në dispozicion të shkruaja deklaratën në tri faqe. Më nuk mendoja për 17 shkurtin, por mendoja vetëm se si ta kryeja këtë detyrë”, thotë ai

Mirëpo, ai thotë se derisa po mendonte se si t’ia dilte ta kaligrafionte Deklaratën e Pavarësisë, i ishte ofruar shefi i protokollit të Qeverisë dhe i kishte propozuar që në kontratë, për punën që bënte ai të jetë autori, por të figuronte edhe Qeveria. “I thashë që kjo mua nuk më interesonte, por vetëm të kryhej puna.

Thotë se asnjëherë nuk iu ofrua kontrata dhe nuk u pagua për punën që e bëri.

“Kurrë më nuk më kontaktuan dhe as nuk më ofruan kontratën për punën e bërë”, rrëfen profesor Nimani, i cili thotë se paratë nga ky honorar do t’i dedikonte për ndonjë familje të pastrehë, për ndërtimin e ndonjë shtëpie.

Ai tregon se teksti i deklaratës së Pavarësisë, kur ia kishin dorëzuar për ta kaligrafuar, ka pasur shumë gabime gjuhësore dhe kishte paralajmëruar që të përmirësoheshin sepse nuk do të fshiheshin më nga pergamena.

“Mund të them se përveç si kaligraf, isha edhe lektor dhe korrektor i saj”, tha ai.

Thotë se në Deklaratën e Pavarësisë kishte përdorur shkronjat e Pal Engjëllit, që kishte përdorur në Formulën e Pagëzimit.

Ai ka treguar se si ka arritur pergamena e nga Londra në Kosovë. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=79ultWgeX4A&feature=youtu.be

Exit mobile version