Gjashtë vota duhej të bëhen rehat – pra, të gjitha deputete të Kosovës që të votohej Presidenti i Kosovës dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje. Po kjo histori nuk përfundon. Premtimet nuk u arritën për disa prej tyre.
Dhe tash, po aq duhen për Demarkacionin dhe për Statutin e Asociacionit për të kaluar dhe për të përfunduar Misioni i korruptimit të sistemit.
Në ndërkohë, Isa Mustafa ka formuar komisionin për ta vazhduar formimin e Asociacionit. Por, para kësaj duhet ta rregulloj Demarkacionin. Ai ka vendosur që ta çojë punën deri në fund. Me çmimin e “blerjes” së votës e jo të bindjes se duhet të votohet, shkruan Gazeta Blic.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini kishte ironizuar në facebook-un e tij me gjithë këtë që po ndodhte.
Një Terminal Doganor, dy ambasador, një në Londër dhe tjetri në Romë, Një zv. Ambasadorë dhe një i punësuar i një deputeti. Kaq është kostoja fillestare e çmimit për votat e javës që vjen.
Kush janë njerëzit që përfituan: Margarita Kadriu, Alma Lama, Muhamet Hamiti (ndoshta), Armend Zemaj dhe Melihate Tërmkolli. Kërkesa për vota shtesë kanë edhe Boshnjakët, Egjiptasit dhe…
Brutaliteti i Korrupsionit
Si nisi historia e korrupsionit të sistemit.
Në fillim të majit 2014, vajza më e njohur e familjes Kadriu, Margarita, drejtuese e gazetës Kosova Sot, hynë në politikë. Dhe, hapen horizontet për vlerësimin dhe përdorimin e tij. Politika bëhet derë e fortë.
Lideri i Partisë Demokratike, me 14 maj, është paraqitur në selinë e Partisë së tij me anëtaren më të re të Misionit të Ri. Thaçi e pat prezantuar si drejtoreshë dhe kryeredaktore të “Kosova Sot”, por jo si anëtare, por, si nënkryetare të PDK-së.
Margarita, tregoi qartë pse hynte në Politikë, dhe ceku dy arsye: “ E para janë qytetarët e Kosovës, që vuajnë nga politikat dhe politikanët e mirëfilltë në interes dhe dobi të tyre”.
Një ndërtesë e mbetur shkretë në mes të fushës, pa ide dhe pa plan, bëhet pjesë e pazareve politike.
Fillon të rregullohet e gjithë infrastruktura brenda natës dhe bëhet kërkesa për Terminal Doganor.
Historia e ndërtesës që kushton 3 milion euro, sipas vlerësimit të Ruzhdi Kadriut, i cili shkruan qartë për paret e derdhura dhe pa sqaruar asgjë në letrën e tij dërguar Doganës së Kosovës.
Letra mban datën 04.07.2014 me mbi-titull “CITY PARK”, Zona industriale – Prishtinë që ka tri adresime, Lulëzim Rafunës si Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, Ministrit të Financave, Besim Beçaj dhe Agim Shahinit , Këshilli Konsultativ i Doganave.
Në pjesën e letrës të nënshkruar nga Ruzhdi Kadriu, shkruan:
“Pas dy bisedave që kemi pasur me ju ( Besim Beçaj, Lulëzim Rafuna dhe Agim Shahini v.j) pas vlerësimeve pozitive dhe pohuese për pëlqimin që ju duhet me dhënë, ne kemi vazhduar edhe me investime shtesë në rritjen e hapësirës së tokës dhe me destinimin e plotë për Terminal Doganor dhe ato investime vetëm para 6 muajve deri më sot kanë arritur më shumë se 1 milion euro, ndërkaq që më parë kishim investuar afro 2 milion euro, që në fakt aty gjerë më sot janë investuar mbi 3 milion euro”
Pas kësaj letre të gjatë, e shoqëruar me ofendime dhe kërcënime, nis puna dhe komunikimi me Ministrin, Besim Beçaj dhe Drejtorin e Doganave, Lulëzim Rafuna.
Krejt që ishte ndërtuar si infrastrukturë ligjore për nevojat e Kosovës për Terminale Doganore hapet një perspektivë politike për familjen Kadriu përmes nënkryetares së PDK-së, Margarita Kadriu.
Në ndërkohë Dogana në një vendim të datës 20.05.2014 kishte sqaruar pozicionin e saj të funksionimit.
Stafi i saj ka shpjeguar se Doganat e Kosovës janë të ndara në shtatë zona, regjione, dhe vetëm nëse ajo vlerëson se duhet dhe ka nevojë shtesë për terminal doganor do të jap rekomandim.
Në po të njëjtin muaj nënkryetarja e re e PDK-së, Margarita Kadriu, fillon procedurën dhe investimet për shndërrimin e objektit në shitje në Terminal Doganorë…
Këtu fillon presioni të Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Financave, Dogana e Kosovës dhe Këshilli Konsultativ.
Ministria e Infrastrukturës gjatë vitit 2015 ka nxjerr UA 8/2015 përmes së cilës ka ndryshuar UA 04/2013 në lidhje me licencimin e terminaleve të mallrave. Sidoqoftë ky ndryshim i UA që në nenin 1, paragrafi 2 thekson shumë thjeshtë se karakteri i tij tanimë nuk ka të bëjë me terminale doganore por vetëm me ato të mallrave, duke u potencuar në të njëjtin nen se kompetenca e hapjes së terminaleve të reja doganore është kryekëput e Doganës së Kosovës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
Kjo nënkupton se në asnjë dispozitë, UA 8/2015 nuk e obligon asnjërën nga institucionet e lartcekura që të angazhoj resurse shtesë për hapje të zyrave të reja doganore përderisa nuk shfaqet nevoja e bazuar për rritje të kapaciteteve.
Duke iu referuar shkresës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës z. Lulëzim Rafuna të datës 20.05.2014 që mban numër protokolli 437, shkresë kjo adresuar ish Ministrit të Infrastrukturës z. Fehmi Mujota, nga ana e vet doganës theksohet se, citat: “Në kuadër të organizimit rajonal aktual kërkohet që në çdo regjion të operoj nga një terminal doganorë. Dogana e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme do bëjë vlerësimin e nevojave për terminale shtesë dhe paraprakisht Ministria e Infrastrukturës do të njoftohet varësisht nga nevojat e doganës, resurset, kapacitetet përkatëse dhe nga mundësia e mbikëqyrjes”.
Shkresës së lartcekur i është referuar edhe Këshilli Konsultativ për Financa me rastin e adresimit ndaj Ministrit të atëhershëm të Infrastrukturës ku i është kërkuar që kjo Ministri t’i referohet udhëzimeve të z. Rafuna.
Referuar citatit të mësipërm, kjo nënkuptohet se përderisa qarkullimi i atëhershëm nuk ndryshon dhe përderisa kapacitetet e terminaleve prezente përballojnë këtë qarkullim dhe përderisa dogana ka po këtë kapacitet të resurseve, nuk është nevoja dhe as mundësia e hapjes së zyrave të reja doganore.
Po ashtu duhet të theksohet se në të gjitha proklamimet e Doganës së Kosovës rreth të arriturave të vitit 2015 është theksuar se Dogana ka përmbushur dhe tejkaluar objektivat për grumbullimin e të hyrave edhe pse intensitetit i importit ka qenë në rënie gjatë vitit 2015. Që le të nënkuptoj se nuk ka asnjë rritje të qarkullimit të mallrave (përkundrazi ka rënie prej 7% në qarkullim), por arritja e objektivave është rezultat i efikasitetit të doganës.
Është me rëndësi të bëhet e ditur se asnjë zyre e re doganore nuk mund të bëhet pa implikime buxhetore andaj është obligim i secilit institucion që shpenzimet e Buxhetit të Kosovës t’i ketë të harmonizuara me nevojat publike, e jo duke iu nënshtruar presioneve të subjekteve të cilat pa asnjë biznes plan të mirëfilltë dhe pa asnjë koncept biznesi kanë ngritur kapacitete që i ngjasojnë terminaleve doganore. Ky quhet korrupsion brutal i sistemit dhe me siguri do të përfundoi në prokurori kushdo që nënshkruan vendimin.
Korrupsioni “Elegant”
Të lodhur nga pritjet dhe të qenit të pasigurtë si deputete, fillojnë pazaret në shumë drejtime. Bukurie Gjonbalaj “tërhiqet” nga Ambasadorja në Romë per t’i lëshuar vend Alma Lamës së LDK-së.
Lirim Grajqevci tërhiqet nga Ambasadori ne Londër per t’u emëruar në Hagë dhe për t’i lëshuar vend, ndoshta, Muhamet Hamitit.
Vëllai i Armend Zemajt emërohet zv. Ambasador kurse vëllai i Melihate Tërmkollit punësohet në një Institucion Qeveritar. Benificionet tjera kanë arritur edhe disa deputetë boshnjak dhe egjiptian.
Kushtëzimet kishin ngecur dhe disa prej premtimeve nuk ishin realizuar.
Kur duhet te votohet per Demarkacionin, kërkesat e deputeteve aktivizohen dhe bëhen si akt i kryer. Së pari te kryhen punët, e pastaj votohet Demarkacioni. Këto janë arsyet pse është vonuar seanca e Parlamentit per t’u votuar Demarkacioni me Malin e Zi. /Gazeta Blic/