I burgosuri Amar Hussein, militant i organizatës terroriste Shtet Islamik, pretendon se lexon Kuran tërë ditën për t’u bërë njeri më i mirë, shkruan Metro.
Por në anën tjetër pa shfaqur as edhe një pikë pendese pranon se ka përdhunuar mbi 200 femra, kryesisht pjesëtare të pakicave irakiane, transmeton Telegrafi.
Komandantët e tyre lokalë u kishin dhënë atyre “dritën e gjelbër” që të përdhunojnë sa më shumë femra të pakicës kurde Yazidi.
“Përdhunimet janë normale, meshkujve të rinj kjo u nevojitet”, ka shtuar Hussein para gazetarit të Reuters.
Duke mos shfaqur as edhe një pikë pendese vazhdimisht e përsëriste: “Kjo është normale”.
Hussein ka pranuar se kishte lëvizur nga një shtëpi në tjetrën në disa qytete të Irakut, ku edhe kishte përdhunuar femrat Yazidi dhe të pakicave tjera derisa Shteti Islamik po fitonte çdo herë e më shumë terren përball forcave irakiane.
Forcat kurde thonë se kanë dëshmi për përdhunime dhe vrasje, por nuk e din saktë numrin e krimeve të kryera.
Derisa Shteti Islamik po shkatërronte pjesën veriore të Irakut gjatë vitit 2014, militantët e tyre kishin përdhunuar dhe rrëmbyer femrat duke i shfrytëzuar si skllave seksi, derisa të afërmit e tyre meshkuj i vrisnin pa pikë mëshire.
Hussein thotë se ka vrarë afro 500 njerëz, që kur në vitin 2013 iu bashkua organizatës terroriste ISIS.
“Kemi qëlluar mbi ata persona që na është thënë se duhet t’i qëllojmë, por kemi edhe kokat e tyre që është dashur t’ua presim”, ka shtuar ai, transmeton Telegrafi.
Atë e kishin “trajnuar” për vrasje, gjë që në fillim e kishte të vështirë, në veçanti personat që është dashur t’i vrasë që ta perfeksionojë këtë punë, por me kalimin e ditëve ai filloi të mësohet me këto tmerre.
“Shtatë, tetë, 10, 30 e 40. I kemi dërguar në shkretëtira dhe i kemi vrarë”, ka shtuar terroristi.
Edhe pse flet dhe i pranon publikisht këto krime të tmerrshme që i kishte kryer, Hussein e sheh veten si viktimë.
“Nuk kisha para dhe askënd që të më tregojë se çfarë është mirë e çfarë keq, kam qenë i papunë. Kam pasur miq, por jo edhe dikë që të më këshillojë”, thotë Hussein.
Ai pranon se i është bashkuar ISIS kur ishte vetëm 14-vjeç pasi e kishte joshur një imam lokal. /Telegrafi/