Në rrugën “Afrim Loxha”, ose më saktë tek Shtëpia e Pleqëve në Prishtinë, mbrëmë ka ndodhur një shpërthim bombe në një lokal aty pranë.
Pronari i dyqanit ku shet pemë dhe perime, Valton Makolli tregoi se ai ka vetëm një javë që ka zhvendosur biznesin e tij në këtë lokal, të cilin e paguan me qira.
“Jam me qira qe një javë tek ky objekti. Mbrëmë rreth orës 2 e 50 fqinjtë kanë dëgjuar dhe po thonë që ka shpërthyer një bombë. Sot kanë ardhur edhe policia. Dëme të mëdha nuk ka”,tha ai.
Ndonëse nuk ka qenë i pranishëm në lokal, pasi ngjarja ka ndodhur në orën 2 e 50 të mëngjesit të sotëm, Valtoni thotë se nuk ka problem me askënd, prandaj nuk e di se cili është motivi i këtij incidenti.
“Unë nuk kam probleme me askënd, kështu që i lutem drejtësisë që sa më shpejt të zbulojë rastin. Unë nuk dyshoj në askënd por kam dëshirë që të zbulohet rasti më shpejt”, thotë Valtoni.
Ndonëse në lokalin ku punon ka ndodhur një ngjarje e tillë, Valtoni duket mjaft i relaksuar. Ai madje me shaka thotë se biznesin nuk do ta ndalë pasi “edhe molla kam pa pare, kur mbes pa pare”. /lajmi.net/