Në Pontevedra, në veri-perëndim të Spanjës afër kufirit portugez, këmbësorët kanë gjithmonë përparësi.
Autoritetet lokale kanë shpenzuar kohë 20 vitet e fundit duke ridizajnuar qytetin me 80,000 banorë, në mënyrë që të jetë e lehtë dhe e këndshme për të ecur përreth, ndërsa makinat “janë lënë jashtë”.
Dhe në ato pak zona të qendrës së qytetit ku lejohen, ato janë të kufizuara në një shpejtësi prej 10 k/h, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Të gjitha këto ndryshime kanë dhënë rezultat: asnjë këmbësor nuk ka vdekur në një aksident trafiku rrugor në më shumë se një dekadë.
Një nga banorët që shprehet e kënaqur me “sistemin e ri” është edhe Elena Herroro, që u transferua në Pontevedra nga Madridi në kërkim të një jete më të lehtë.
“Gjithçka këtu është shumë afër”, thotë ajo. “Unë e kam qendrën shëndetësore pothuajse pas shtëpisë sime, spitali është gjithashtu afër, kam disa supermarkete pikërisht nën banesën time. Kështu që asgjë thelbësore nuk është larg”.
Plani i ri i qytetit ka tërhequr gjithashtu bizneset lokale, me 7% më shumë dyqane dhe restorante të hapura.
“Njerëzit dalin për të shëtitur nëpër qytet dhe ky është një përfitim i madh për bizneset lokale”, thotë Victor Riobó, pronar i Miller Vintage Running Club.
Sipas shkrimit të Euronews, përcjell Telegrafi, zona e parë që u bë pedonale në Pontevedra ishte qyteti i vjetër.
“Çdo qytet ka rrugën e tij kryesore tregtare, një arterie që përcakton karakterin e tij”, thotë César Mosquera, këshilltar dhe promovues i pedonalizimit në Pontevedra.
Qyteti ka instaluar gjithashtu ndriçim në zonat e errëta dhe në zonat ku këmbësorët mund të hasin në makina.
Qyteti ka marrë tashmë vlerësim ndërkombëtar për transformimin e tij, pasi është emëruar qyteti më i rehatshëm i Evropës për të jetuar në vitin 2014. /Telegrafi/