Site icon Telegrafi

Rrëfimi për ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri (Video)

Durres, Albania 1997 Mafia gunmen control the entrance to a pier where a small ship was to take Albanians paying from $250 to $500 to a larger ship, which will go to Italy. The gunmen fired wildly into the air & screamed at the crowds to stay back.

Njëzet vite më parë, nga Lushnja nisën shkëndijat e para të një revolte popullore, e cila me shpejtësi do të përhapej në të gjithë vendin.

Mijëra qytetarë dolën në rrugë, morën armët dhe dogjën godina, në kërkim të parave të humbura në firmat piramidale. Një revoltë, e cila është shenjuar në historinë e Shqipërisë, si ngjarja më e rëndë e 27 viteve të fundit.

Një pjesë e madhe e banorëve janë zhvendosur në Lushnjë, e një pjesë tjetër diku gjetkë. Ata që kanë mbetur i kanë ende të freskëta kujtimet, edhe pse nuk duan që t’i kujtojnë. Më të rinjtë luajnë pikërisht aty, ku 20 vite më parë prindërit u ngritën në revoltë.

“Zjarr, protesta e shumë të tjera. Më mirë mos ta kujtoj atë kohë”, thotë një banore e Dushkut.

“Njerëzit u mblodhën vetvetiu, pa thirrur njëri-tjetrin, u bënë që të gjithë bashkë. Edhe unë kam qenë pjesë e protestave, sepse pata 1.5 milionë nëpër firma, prej të cilave mora vetëm 400 mijë nga Xhaferri”, thotë një tjetër banor i Dushkut.

Ajo që u nis në Dushk, brenda pak orësh u zhvendos në Lushnjë, për faktin se dy nga drejtuesit kryesorë të firmave piramidale, Rrapush Xhaferri dhe Bashkim Driza ishin nga ky qytet.

“Të gjithë u gënjyem nga një mashtrim, vetëm sepse e njihnim Rrapushin këtu në Lushnjë. Unë s’kam qenë në protesta, por mbaj mend që në një kryqëzim zunë rrugët me makina dhe nisën zjarret e viktimat”, tha një banore.

Por si e kujton Shkëlqim Bylykbashi, gazetar në ato vite, djegien e Lushnjës?

“Nga pallatet rreth objekteve ku kalonte turma, fillimisht janë sulmuar trupat speciale me tulla dhe me sende të forta, duke i bërë ata të tërhiqen në objektet ku ndiheshin më të sigurtë. Fillimisht te policia, e më pas u zhvendosën për të shkuar te gjykata. Pakënaqësia e njerëzve ishte në gjykimin tim ndaj institucioneve vendimmarrëse, sepse pikërisht këto u prekën: gjykata dhe bashkia”, thotë ish-gazetari Shkëlqim Bylykbashi.

Xhemil Sulo, ish-ushtarak ka shpërbyer në atë vit në Repartin e Kolonjës, i cili nuk i shpëtoi bastisjes.

“Ushtarakët kanë një Komandant të Përgjithshëm. Nëse ai do të urdhëronte të mbroheshin repartet, kjo do të ndodhte, por nuk u dha një urdhër i tillë”, tha Xhemil Sulo, ish-ushtarak.

Por edhe pse pa urdhër, ata arritën të ruanin tunelet me municione.

“E bëmë për të mbrojtur komunitetin, thjesht për të mbrojtur njerëzit, sepse ne si ushtarakë e dinim se çfarë do të ndodhte. Askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte po të shpërthente një depo municioni në Vajkan, ku kishte me tonelata municione”, shprehet Xhemil Sulo.

Sot, 20 vite më pas, gjithçka ka ndryshuar. Gjurmët e atij viti vështirë të gjenden në qytet, por ato mbeten në kujtesën e të gjithë qytetarëve. /Top Channel/

Exit mobile version