Site icon Telegrafi

Rrëfimi për gruan më të pasur në botë: E la shkollën e mesme për të punuar, sot ka 32 fabrika e 90 mijë punëtorë (Foto/Video)

Shpesh dëgjojmë se si notat e mira nuk janë barometër i diturisë dhe i suksesit jetësor të një personi. Megjithatë, na habisin lajmet kur ndonjë pasanik i njohur ka arritur të krijojë perandori financiare edhe pse nuk ka qenë nxënës i mirë në shkollë.

Është e vërtetë se shkollimi luan rol shumë të rëndësishëm në jetë. Por, një grua nga Kina ka zbuluar për mediat botërore se njeriu mund të jetë vetë një shkollë e të mësojë gjatë jetës gjërat që i duhen për të qenë i suksesshëm, transmeton Telegrafi.

Bëhet fjalë për 47-vjeçaren Zhou Qunfei, e cila është shpallur femra më e re miliardere, kurse gjithë pasurinë që e ka e ka fituar me djersë, punë dhe mund.

Ajo nuk ka trashëguar kurrfarë pasurie nga familja dhe në asnjë moment askush nuk e ka përkrahur financiarisht. Madje, nuk e ka të përfunduar as shkollën e mesme.

Qunfei është themeluese dhe anëtare e bordit ekzekutiv të kompanisë “Lens Technology” që merret me prodhimin e ekraneve dhe lenteve për telefonat iPhone.

Kur kompania e saj u shfaq në treg dhe u bë e njohur në vitin 2015, ky fakt e bënte atë jo vetëm femrën më të re, por edhe më të pasur në botë që ka arritur të fitojë e vetme gjithçka që ka sot.

Është një tregim interesant se si e ka braktisur shkollën qysh kur ishte 16-vjeçe, me qëllim të fillojë punën në një fabrikë të orëve, transmeton Telegrafi. Tregimi i saj fillon në vitin 1993, kur ajo ishte vetëm 22-vjeçe. Asokohe kishte themeluar kompaninë për riparimin e disa pjesëve të orëve.

“Gjatë periudhës së rritjes së shpejtë ekonomike të Kinës, kanë ekzistuar mundësi të ndryshme për sipërmarrësit – përfshirë këtu edhe gratë. Kjo më ka ndihmuar ta zhvillojë biznesin tim”, ka deklaruar ajo.

Gjatë një interviste dhënë për revistën “Times” gjatë vitit 2015, ajo kishte deklaruar se më me dëshirë do të punonte sesa të martohej si 16-vjeçare, siç kanë vepruar shumica e bashkëmoshatarëve në fshatin ku është rritur.

15-vjet më parë ajo filloi të punojë në industrinë e telefonave dhe shumë shpejt prodhues të njohur filluan të kërkojnë produktet e saj. Sot kompania e saj vlen rreth 10 miliardë euro dhe ka 32 fabrika në të cilat janë të punësuar mbi 90 mijë persona.

Qunfei është e martuar dhe i ka dy fëmijë nga martesa e parë, por thotë se arrin pa kurrfarë problemi ta ndajë jetën private nga ajo profesionale. /Telegrafi/

Exit mobile version