Freddie Mercury asnjëherë nuk kishte biseduar me nënën e tij, Jer Bulsara, lidhur me seriozitetin e sëmundjes që kishte.
Frontmeni i “Queen” ndërroi jetë në vitin 1991 nga pneumonia bronkiale që ishte si pasojë e komplikimeve nga AIDS-i. Mirëpo, këngëtari legjendar nuk kishte dashur ta shqetësonte nënën e tij lidhur me gjendjen shëndetësore, në të cilën ndodhej.
Në një intervistë të mëhershme për The Telegraph, nëna e Freddiet (e cila ka ndërruar jetë në vitin 2016) ka folur për ditët e fundit të jetës së muzikantit.
Kur është e pyetur se a ka vizituar djalin e saj në West Kensington në ditët e fundit të jetës së tij, ajo është përgjigjur: “Natyrisht. Ai nuk kishte nevojë të më thoshte asgjë. Unë e dija se ishte i sëmurë”.
Mercury e kishte mbajtur të fshehtë diagnozën me AIDS nga nëna e tij, e cila ka pranuar se “as seksualiteti i tij e as sëmundja nuk ishin biseduar në shtëpi”.
“Ai na mbronte duke mos folur kurrë për këto tema. Tash është ndryshe, por asokohe do të ishte shumë e vështirë për të që të na thoshte dhe ne i respektonim ndjenjat e tij”.
“Freddie mbante një ndarje strikte ndërmjet punës dhe shtëpisë, gjatë gjithë jetës së tij”, ka rrëfyer Jer Bulsara gjatë intervistës së dhënë në vitin 2012. /Telegrafi/