Neki Emra u lind në një familje me traditë muzikore. Dhe kështu nisi t’i binte pianos qysh në moshën katërvjeçare. Muzikë dhe vetëm me muzikë është shoqëruar jeta e tij. Është shumë i dashur për publikun dhe njihet si mjeshtri i baladave.
Emra në emisionin ”PasDite” në RTV Dukagjini ka treguar copëza rrëfimi të jetës së tij. Ai tregon se para se të filloj karrierën si solo këngëtar përmend si periudhë të veçantë në jetën e tij karrierën në rrok grupin e njohur “403”.
“Periudha me ‘403’ ka qenë ndoshta prej periudhave më të mira në jetë që kam pasur… Më kujtohet kur isha në një rok grup nga Prizreni dhe një ditë u takova me Hektorin e ‘403’ dhe derisa ishim duke pirë ai më tha: ‘Dëshirojmë të kthehemi, a dëshiron të jesh pjesë e grupit si tastierist’. Sigurisht e pranova me kënaqësi, pasi shumë këngë të tyre për mua ishin shumë të dashura”.
Nekiu tregon se pas përgatitjeve në vitin 2007 u mbajt koncerti, ku ishin në shitje vetëm 403 bileta.
“Koncerti u mbajt në teatrin “Oda” dhe mbaj mend që ndoshta asnjërën nga këngët Hektori nuk e ka kënduar vetë, por i ka kënduar publiku”, tregon më tej këngëtari.
Ai thotë se më pas ka pasur bashkëpunim edhe me grupin “Ilirët” për të vazhduar karrierën si solo këngëtar. I pyetur nëse do të pranonte ndonjë ftesë për t’iu bashkuar prapë grupit, Nekiu ndihet në siklet.
“Tash kam shumë angazhime… Por nëse vjen rasti për t’iu bashkuar në ndonjë mbrëmje Hektorit sigurisht se do t’i lija mbrëmjet e mia dhe do të merrja pjesë në atë event”, tregon më tej muzikanti. /Telegrafi/